Agjencia infektive e BE-së: i pamundur ndalimi i përhapjes së koronavirusit, kujdesuni për njerëzit më të dobët

Nga Exit News
Agjencia infektive e BE-së: i pamundur ndalimi i përhapjes së koronavirusit, kujdesuni për njerëzit më të dobët

Ndalimi i përhapjes së koronavirusit “nuk konsiderohet më i mundur”. Ky është përfundimi i arritur nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), agjencia kryesore e BE-së për studimin politikat për sëmundjet infective.

Qendra lëshoi të enjten një tjetër vlerësim për rrezikun e koronavirusit, i cili këshillonte që përpjekjet e qeverive të BE-së duhet të zhvendosen nga frenimi i përhapjes në mbrojtjen e njerëzve më të dobët.

Në të vetmin vlerësim optimist, raporti shprehet se rreziku për “sëmundje të rëndë” është i ulët deri në i moderuar për popullatën në përgjithësi.

Sidoqoftë, rreziku është i lartë për të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Për këtë arsye, qendra këshillon dhënien prioritet nga qeveritë të mbrojtjes së të moshuarve dhe njerëzve me sëmundje kronike.

ECDC thekson se ndalimi dhe kontrolli në spitale e qendra të tjera shëndetësore i COVID-19, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi, do të duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverive.

Masat në këtë drejtim duhet të jenë të menjëhershme, pasi ECDC parashikon se ka rrezik të lartë që në javët e ardhshme numri i njerëzve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore do të jetë më i madh se sa kapaciteti i sistemeve shëndetësore në BE+3.

Sipas të dhënave të ECDC-së, deri të enjtën në ora 18:00, kishte 22 105 persona të infektuar me koronavirus në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër e Norvegji (BE+3), nga të cilat 12 839 ose 57 për qind në Itali.

Numri i viktimave, deri në të njëjtin moment, kishte arritur në 1161, nga të cilët 1016 ose rreth 88 për qind në Itali.

Të dhënat tregojnë qartë se Italia ka qenë përjashtimi i madh në Europë, por ECDC paralajmëron se javët e ardhshme vendet e tjera europiane rrezikojnë të ndeshen me të njëjtat ritme si Italia në përhapjen e virusit dhe vdekshmërisë.

Arsyeja për këtë parashikim është fakti se vendet europiane u treguan të ngathta në javët e para të krizës së koronavirusit dhe nuk detyruan apo këshilluan popullsinë e tyre për të marrë masa për ‘distancimin shoqëror’, duke lejuar përhapje më të lehtë të infeksionit.

Pasojat e kësaj përhapjeje ‘të heshtur’ do të shihen në javët e ardhshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>