Politikani dhe sipërmarrësi Agron Shehaj i ka dhuruar dy pajisje respiratore dhe një aparat dialize Spitalit Shefqet Ndroqi—spitali kryesor Covid në Shqipëri, ku po trajtohen mbi 200 pacientë, disa në gjendje të rëndë.
Lajmin e ka bërë të ditur shefja e reanimacionit të spitalit Alma Cani Ansary, e cila ka falenderuar publikisht Shehajn në një status në Facebook, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtyre pajisjeve për të shpëtuar jetë.
Javët e fundit kanë shënuar një rritje të madhe të numrit të të ifnektuarve, të personave të shtruar në spitale dhe fatkeqësisht të vdekjeve. Respiratorët janë aparaturat jetike për mbajtjen në jetë të të sëmurëve rëndë, dhe numri i tyre në spitalet tona është i kufizuar dhe ka të sëmurë që kanë nevojë për to dhe nuk kanë mundësi.
Dhurimi i Shehajt jo vetëm që do të shpëtojë realisht jetë, por është i vetmi rast kur sipërmarrës apo individë kanë dhënë ndihma për sistemin shëndetësor në këto kohë të vështira.