Ish-deputeti Agron Shehaj tha se koha më e mundshme për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian është qershori i vitit 2020.
Shehaj foli sot për “News24”, ku u shpreh se rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian nuk ishte lajm për shqiptarët, pasi kjo ka ndodhur disa herë më parë. Ai shtoi se “fatkeqësisht ka shumë pak gjasa që Shqipërisë t’i hapen negociatat në qershor.”
Si kohë më të mundshme për një vendim pozitiv për Shqipërinë, Shehaj tha se sheh qershorin e vitit 2020. Ai këtë e argumentoi me faktin se parlamenti gjerman do të marrë një vendim për Shqipërinë në muajin shtator, dhe se vendimi më pas i Këshillit Europian pritet të jetë negativ. Ndaj, qershori i vitit 2020 është koha e arsyeshme, sipas tij, kur Këshilli do ta shqyrtojë sërish këtë çështje.
Shehaj tha se për një vit rresht, që nga qershori i vitit të shkuar, Kryeministri Rama ka mashtruar duke thënë se në 2018 Këshilli Europian vendosi për hapjen e negociatave në qershor 2019.
Ish-deputeti i PD-së tha se arsyeja për ngecjen e integrimit në BE është mungesa e shtetit të së drejtës, korrupsioni i qeverisë dhe shkalla e lartë e kriminalitetit. Sipas tij, Gjermania, Hollanda dhe Belgjika janë ndër shtetet më dyshuese për punën e qeverisë për integrimin.
Më tej, Shehaj u përqendrua te disa raste koncesionesh dhe tenderash, për të cilat tha se qeveria po i grabit shqiptarët. Sipas tij, Kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë duhet të ishin duke u hetuar për korrupsion, por prokuroria nuk po i heton ata.
Ai solli shembullin e rrugës Orikum – Dukat, për të cilën tha se, megjithëse rruga nuk ka nevojë për ndërtim të plotë, qeveria ka shpenzuar 70 milionë euro për 17 kilometra.
Ndërsa 250 milionë euro qeveria i ka shpenzuar edhe për rrugën Milot – Balldren, edhe kjo 17 kilometra. Tenderin për këtë e ka fituar pa konkurrencë dhe pa transparencë vetëm një kompani, sipas tij.
Ai tërhoqi vëmendjen edhe sjellja e gjithë personave të përfshirë në korrupsion, qoftë punonjës civilë, politikanë apo biznesmesë. Sipas Shehajt, ata veprojnë sikur të kenë garancinë se drejtësia nuk do t’i hetojë.
Shehaj tha se, kur Rama të mos jetë më kryeministër, prokuroria do të jetë e lirë t’i hetojë shkeljet në tendera dhe koncesione. Ai shtoi se shkeljet dhe vjedhja janë aq të dukshme, saqë çdo i interesuar mund t’i zbulojë lehtësisht, jo më prokuroria apo policia. Shehaj solli shembullin e tij, se si vetëm duke kërkuar në regjistrin e kompanive të regjistruara në shtetin Delaware të SHBA-ve arriti të zbulonte skandalin me kompaninë fantazmë Dunwell Haberman.
Prokuroria e ka të thjeshtë t’i zbulojë vjedhjet e qeverisë, nëse do të ketë vullnetin për ta bërë këtë, pasi këto vjedhje janë shumë të mëdha, tha Shehaj.
Në mbyllje, ai u shpreh se qeveria e Kryeministrit Rama dhe një grup oligarkësh kanë kapur gjithë ekonominë e vendit dhe kanë krijuar një sistem vjedhjeje. “Mendoj se ata oligarkë që abuzojnë me paratë publike dhe kanë vjedhur përmes koncensioneve, janë një organizatë kriminale. Kemi të bëjmë me një organizatë kriminale ku kemi oligarkët, politikanët dhe administratën, që kanë kapur komplet pushtetin ekonomik,” – u shpreh Shehaj.