Agron Shehaj, pasuria, biografia e themeluesit të një perandorie në biznes

Djaloshi 13-vjeçar që iku natën me anije në Itali 30 vite më parë sot numëron afro 80 milionë euro pasuri. Historia e pionerit të teknologjisë digjitale me një ide të thjeshtë në biznes që nisi me 40 mijë euro borxh nga prindërit dhe e ktheu në punëkrijuesin më të madh në Shqipëri.

Nga Exit News
Agron Shehaj, pasuria, biografia e themeluesit të një perandorie në biznes

Një natë marsi 30 vite më parë do të shënonte udhëtimin e jetës për djaloshin 13 vjeçar Agron Shehaj dhe familjen e tij nga Vlora. Lundrimi me anije të vjetër ushtarake nga Himara për në brigjet e Italisë ishin miljet që nuk shënuan vetëm zhvendosjen gjeografike, por dhe një jetë të re. Fotoja simbol e djaloshit me dy gishtat e fitores lart në dritaren e një treni që rendte drejt Bolzanos na vjen sot si një shenjë nga fati për rrugëtimin e tij të vërtetë; të njeriut që do të ngrinte në pak vite një perandori miliona-euroshe.

Thonë që fati ndihmon guximtarët. Në vitin 2005, Agron Shehaj pasi ishte diplomuar për ekonomi në Firence vendos të rimarrë udhën e kthimit. Këtë herë udhëtimi u bë ditën dhe me një ide në kokë. Prindërit i kishin besuar disa nga kursimet e tyre, rreth 40 mijë euro, idesë së djalit të tyre për të hapur një biznes në Shqipëri.

Me këto para që ishin dhënë borxh ai themeloi kompaninë IDS (Intercom Data Service) me të cilën u bë pioner i një industrie punësimi që për disa vite do të kthehej në një prej sektorëve më të mëdhenj të punësimit në vend. Siç tregon ai vetë, në emisionin Opinion në Tv Klan, atë kohë pati një ide të thjeshtë biznesi, atë të shërbimeve telefonike, ose call-center, dhe mendoi ta zhvillonte në Shqipëri duke besuar se njohja e gjuhës italiane mes të rinjve shqiptarë ishte një fenomen i përhapur.

Fillimisht do të ishin rreth 50 të punësuar, por në imagjinatën e Agronit zhvillohej projektimi i një udhëtimi në kohë kur kjo shifër vetëm do të shumëfishohej duke shkuar në pak vite në mijëra të punësuar. Sot Agron Shehaj cilësohet si punëkrijuesi më i madh gjatë gjithë tranzicionit në Shqipëri.

Vetëm në kompanitë e tij janë punësuar përgjatë viteve mbi 40 mijë të rinj e të reja që vijuan më pas karriera të ndryshme, ndërkohë industria e nisur prej tij u kthye në një prej më kryesoreve në Shqipëri. Kompanitë e Shehajt i kanë sjellë ekonomisë shqiptare qindra miliona euro në vite përmes shitjes së shërbimeve jashtë Shqipërisë.

Suksesi i tij ra në sy të mediave ndërkombëtare e në veçanti “Corriere della Serra” apo Forbes.it do e cilësonin atë si “mbreti i Call-Center”.
Intuita që e kishte nxitur të ndërmerrte hapin e parë në biznes po e nxiste sërish që të investonte në një tjetër sektor, në atë të teknologjisë dhe shërbimet e marketingut dixhital. Pikërisht në një vend si Shqipëria, që e përqafoi vonë kulturën e internetit, Shehaj pati vizionin për të investuar në një sektor që do të ishte global.

Kësisoj, ai ndoqi instiktin e tij për të themeluar disa kompani për marketing digjital që ofrojnë shërbime në tregun Italian dhe atë anglishtfolës, si dhe investoi në disa start-up që rezultuan mjaft të suksesshme. Sot grupi i tij “Sestante Holding” zotëron dhe është pjesë në aksione në disa kompani ndërkombëtare si LocalWeb, WeWeb, CheBuoni, Homepal, Direct 24 Web Advertising, IDS, të cilat konkurojnë në tregun botëror të shërbimeve teknologjike në vende si Italia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Zvicera apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet këtyre investimeve 43-vjeçari është sot sipërmarrësi shqiptar më i madh në fushën e marketingut digjital dhe kompanitë e tij ofrojnë shërbime për dhjetëra mijëra biznese në Itali, Britani, SHBA e më gjerë dhe ka punusuar aktualisht mbi 1 mijë të rinj shqiptarë.

Ndërsa puna e tij si sipërmarrës zhvillohej në heshtje dhe jashtë syve të publikut, sot shumica e shqiptarëve e njohin atë si politikan dhe deputet të Partisë Demokratike, i kthyer në një zë publik me peshë pas qëndrime publike të forta kundër aferave korruptive. Prej disa vitesh ai po e orienton energjinë dhe eksperiencën e tij në një prej pasioneve të hershme, politikën. “Në politikën si instrument për të ndryshuar jetën e njerëzve”, siç pohon Shehaj.

Me zgjedhjen e tij si deputet i Vlorës në vitin 2017, Shehaj deklaroi në ILDKPI një pasuri prej rreth 23 milionë eurosh në asete, të gjitha të fituara jashtë Shqipërisë dhe me çdo cent të deklaruar. Bashkë me kompanitë e themeluara prej tij në fushën e shërbimeve digjitale, të cilat janë partnere me gjigandin botëror Google, pasuria e Agron Shehaj vlerësohet në total rreth 80 milionë euro.

Por çfarë kuptimi do të kishte pasuria nëse ajo nuk do të shërbente dhe për një qëllim më të lartë se sa paraja?! Filantropia është një nga tiparet me të cilat sipërmarrësit e llojit perëndimor identifikohen përmes kauzave që mbështesin. Shehaj nuk ka qenë i kursyer duke mbështetur projekte që kishin të bënin me pasionet e tij, për të krijuar mundësi në shoqëri, në njohjen e historisë kombëtare dhe kulturën.

Ai ka investuar në shumë iniciativa të cilat kanë dhënë kontribute në emancipimin e shoqërisë shqiptare. Si një pinjoll i një familje antikomuniste, me gjyshin e dënuar për arsye politike dhe të vdekur në burgun e Burrelit gjatë diktaturës komuniste, Shehaj ka investuar në krijimin e memories kolektive për këtë periudhë të errët të Shqipërisë.

Fondacioni Kujto me platformën kujto.al ka arritur të krijojë një arkivë online për viktimat dhe krimet e komunizmit duke u kthyer menjëherë në një referencë për mijëra lexues, studiues vendas dhe të huaj. Studimet historike dhe nderimi i një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe politikës si Mid’hat Frashëri janë mbështetur nga Shehaj me themelimin e Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Nga ana tjetër ai ka ofruar trajnime falas në fushën e teknologjisë për mijëra të rinj shqiptarë nëpërmjet “Link Academy” për edukimin digjital. Pasioni i hershëm i tij për futbollin i ka dhënë jetë Klubit Sportiv për fëmijët në nevojë “Spartaku”. Shehaj ka qenë po ashtu një ndër mbështetësit e parë dhe kryesor të edukimit të fëmijëve me Sindromën Doën dhe i organizatave në mbështetje të tyre duke u vlerësuar dhe me çmime ndërkombëtare si filantrop.

Në zgjedhjet e 25 Prillit ai është një ndër drejtuesit politikë të fushatës së PD-së në kryeqytet dhe renditet i 6-i në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Fushata elektorale e Shehaj i ngjan shumë mënyrës se si ai ka ditur të bëjë biznes. Ai komunikon me elektoratin çdo ditë nëpërmjet rrjeteve sociale. Pa lënë pas dore fushatën tradicionale, atë të takimit të njerëzve aty ku ata janë, në lagje, në punë, në kafe. Shehaj vjen natyrshëm në politikë, pasi arsyeja pse ka vendosur të kërkojë besim janë pikërisht njerëzit, me dëshirën që të japë më të mirën e suksesit të tij në në politikbërje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>