Agron Shehaj: Të hetohet koncesioni i rrugës Milot-Balldren, kompania nuk ka kapital të mjaftueshëm

Agron Shehaj: Të hetohet koncesioni i rrugës Milot-Balldren, kompania nuk ka kapital të mjaftueshëm

Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj denoncoi koncesionin e rrugës Milot-Balldren, dhënë nga qeveria kompanisë A.N.K shpk. Sipas të dhënave të bëra publike, kompania A.N.K ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, por kapitali i saj është 13 herë më i vogël se shuma e kërkuar.

Më anë të një statusi në Facebook, Zoti Shehaj u shpreh:

“Kontrata e koncensionit të rrugës Milot-Balldren është kontratë mashtruese. Kompania ANK ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ka vetëm 4 milionë euro kapital. Kompania ka premtuar që me ketë kapital minimal do të marrë edhe 70 milionë euro të tjera kredi nga bankat dhe 19,5 milionë euro financim nga furnitorët (!).”

Ish-deputeti i PD-së kërkoi hetim të kësaj kontrate nga prokuroria:

“Ose ANK ka fryrë kostot në një skemë tipike korrupsioni, ose do pastrojë para të pista në këtë projekt, ose të dyja bashkë. Një gjë është e sigurt: kompania nuk e ka kapitalin për të cilin ka mashtruar në kontratë dhe ky mashtrim duhet hetuar menjëherë.”

Një ditë më parë, Balkan Web siguroi kontratë  marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë A.N.K, sipas së cilës rruga prej 17,2 kilometrash do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 260 milionë euro, ose rreth 15,1 milionë euro për kilometër.

Në një artikull të mëparshëm, Exit.al ka bërë krahasimin e kostove për ndërtimin e një rruge apo autostrade në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë. Sipas standardeve amerikane ndërtimi i një rruge me shtrat krejtësisht të ri, me dy korsi të ndara në secilin kah, në zona urbane kushton nga $3-5 milionë për milje ose afërsisht nga $1,9-3,1 milionë për kilometër. Në euro kostot standarde të ndërtimit të rrugëve të reja urbane janë: €1,8-2,7 milionë, shifra këto shumë herë më të ulëta se sa kostoja e ndërtimit të rrugës Milot-Balldren.

Shifra 15,1 milionë euro për kilometër është edhe më alarmante po të kemi parasysh se kjo rrugë shtrihet në terren fushor dhe do të ndjekë gjurmën e rrugës ekzistuese, pra nuk do të ketë nevojë për të hapur një shtrat të ri.

Në dhjetor 2017, ndërtimi dhe mirëmbajtja e 17,2 kilometrave rrugë, në buxhetin e shtetit ishte parashikuar të kushtonte 114 milionë euro, ndërsa në nëntor 2018, u bë publik lajmi se ky koncesion do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë dyfishin e vlerës së parashikuar fillimisht,  rreth 260 milionë euro.

Ky koncesion nisi në vitin 2018, me një ofertë të pakërkuar nga kompania A.N.K shpk, me pronar Agim Kolën. Më 27 qershor 2018, Qeveria miratoi dhënien e një bonusi prej 8,5 për qindësh kësaj kompanie dhe lajmëroi se së shpejti do të hapte tenderin për këtë rrugë, ku mund të merrnin pjesë në garë dhe kompani të tjera.

Më 23 korrik 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen për 13 vjet të rrugës. Në njoftimin zyrtar të tenderit, fondi limit ishte rritur në 20,8 miliardë lekë, ose gati 162 milionë euro, pra gati 50 milionë euro më shumë se fondi fillestar i planifikuar në parashikimin buxhetor. Justifikimi për rritjen me rreth 50 milonë euro të kostos ishte ndërtimi i sinjalistikës dhe sistemit të ndriçimit të rrugës.

Pas negociimit mes qeverisë dhe kompanisë për normën e interest që do të marrë kompania në 13 vite e çoi koston e rrugës në rreth 214 milionë euro, ose në total bashkë me TVSH rreth 260 milionë euro.

Kompania do të duhet të ndërtojë 15,6 kilometra rrugë automobilistike me 6 korsi, një tunel me gjatësi 850 metra dhe dy ura, atë të Matit me gjatësi 620 metra dhe atë të Drinit me gjatësi 223 metra.

Pas ndërtimit, kompania A.N.K shpk do ta mirëmbajë rrugën për 13 vite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>