Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj i ka bërë thirrje mediave dhe opinionit publik që t’i bëjnë presion qeverisë duke e mbajtur vëmendjen te koronavirusi.
Përmes një postimi në Facebook Shehaj u shpreh se situata po nënvlerësohet dhe kjo nuk duhet të lejohet pasi prej përhapjes së virusit mund të ketë pasoja në njerëz.
“Vëmendja e opinionit, veçanërisht medias, duhet të mbahet tek koronavirusi. Kam frikë se ne po nënvlerësojmë rrezikun e madh që koronavirusi ka për një vend si i yni, ku sistemi shëndetësor është i dobët, aftësitë tona financiare dhe teknike janë të ulta dhe ku qeveria është e mësuar të gënjejë dhe mashtrojë.”
Shehaj pohon se “është thuajse e sigurt që edhe në Shqipëri do të ketë herët a vonë të infektuar” por:
“Nëse nuk bëjmë presion ndaj qeverisë që të përqëndrojë të gjitha burimet dhe vëmendjen tek kjo çështje, mund të ketë pasoja për njerëzit. Nuk është koha për panik, por nuk është as koha për tu shpërqëndruar tek çështje që i interesojnë vetëm politikës dhe jo shëndetit të njerëve.”
Që kur në Itali koronavirusi u përhap me 650 të prekur në 7 ditë, qeveria ka njoftuar se ka kryer në total 23 testime, të cilat kanë rezultuar të gjitha negative.
Në komunikimet e përditshme qeveria ka të njëjtën qasje duke u mjaftuar me deklaratën se “të gjitha masat po merren në përputhje me standardet e OBSH-së”. (Lexo këtu: A po fsheh qeveria raste të identifikuara me koronavirus?)
Sipas raportit të së premtes, rreth 82 900 persona janë prekur nga virusi (78,832 në Kinë), 36 861 janë shëruar dhe 2 869 kanë humbur jetën (mbi 2,788 në Kinë).
Për t’u informuar më tepër rreth shpërhapjes së koronavirusit deri më tani mund të lexoni këtu, ndërsa për informacionet të tjera mund të lexoni këtu 9 pyetjet më të zakonshme rreth këtij virusi. Këtu mund të lexoni disa nga këshillat bazike që çdokush duhet t’i ketë parasysh.
Po ashtu, Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.