Ahmetaj 2014 vs Ahmetaj 2015

Ahmetaj 2014 vs Ahmetaj 2015

Luljeta Progni

“Doing Business Report, sukses mbresëlënës, kapërcim historik, më i miri në 25 vjet për Shqipërinë”. Kështu e komentoi një vit më parë Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, raportin Doing Business të Bankës Botërore, i cili e rendiste Shqipërinë 40 vende më lart se një vit më herët.

Vjet, Ahmetaj tha se arritja i dedikohej reformave të qeverisë Rama të bëra vetëm për një vit. Ai analizoi një për një indikatorët e renditjes në  raportin e një viti më parë.  “Jemi ngjitur me 32 vende në renditje për dhënien e lejeve të ndërtimit, për fillimin e  një biznesi kemi fituar 4 vende, për  lehtësinë e pagesave të taksave kemi fituar 13 vende, për regjistrimin e pronës kemi fituar 18 vende në renditje e Doing Business”, tha Ahmetaj.

Gjithashtu, një vit më parë, Ahmetaj deklaroi se vlerësimi i Raportit konfirmonte në mënyrë të pakundërshtueshme që Shqipëria është në rrugën e duhur të përmirësimit të klimës së biznesit, rritjes së qëndrueshme dhe cilësore ekonomike. Ministri premtoi se një vit më pas do të kishim rritje edhe më mbresëlënëse.

“Jemi të bindur që vitin tjetër do të kemi një rezultat akoma më të mirë, edhe për arsyen që, vazhdojmë dhe sot që flasim, secilin nga indikatorët ta monitorojmë, ta përmirësojmë në favor të të bërit biznes, të sipërmarrjes dhe të tërheqjes së investimeve të huaja”, tha Ahmetaj më 22 tetor 2014 sapo ishte publikuar raporti i Bankës Botërore për klimën e biznesit.

LEXO  ODIHR për zgjedhjet në Serbi: Duhet dialog për mbrojtjen e pluralizmit

Një vit më vonë, ministri Ahmetaj nuk i klasifikon më si të rëndësishëm treguesit e Doing Business për Shqipërinë. Sot, Ahmetaj analizoi vetëm njërin prej indikatorëve që ka dikuar në uljen e Shqipërisë në renditjen e raportit të BB-së, që  është vështirësia në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ahmetaj sqaroi se efekti negativ lidhet me reformën teritoriale.

Ministri i injoroi treguesit e raportit të Doing Business dhe tha se nëse Shqipëria krahasohet në raport me vetveten ka rritje dhe jo ulje të treguesve të lirisë ekonomike.  “Në thelb Shqipëria nuk është se ka humbur vende në raport me vetveten. Në raport me vetveten, përkundrazi, ka  përmirësime, por sigurisht kjo është një sfidë e konkurueshmërisë që vendi ka me rajonin”, tha Ahmetaj.

 

Lajme te ngjashme