Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj e quajti projektbuxhetin e vitit 2021 si treguesin se ‘qeveria Rama ka mundësi t’i përgjigjet krizave’.
Duke replikuar në kuvend me deputetin e opozitës Halit Valteri, Ahmetaj tha se kritikat e opozitës për projektbuxhetin janë të pritshme, por se ai është një buxhet që do të ndërtojë shtëpi për 36 mijë familje të dëmtuara nga tërmeti.
“Ky buxhet tregon se qeveria ka mundësi tu përgjigjet krizave. Një mazhorancë që i bie kriza nga zoti, tërmeti dhe arrin të rikuperojë me shpejtësi brenda një viti rritje ekonomike.
Sot jemi në një fazë të avancuar të rindërtimit dhe janë 36 mijë familje që do përfitojnë nga rindërtimit. 620 milion vetëm nga burime të brendshme të parave të shqiptarëve do të shkojnë në favor të familjeve shqiptare.”
Ahmetaj deklaroi se programi i rindërtimit ‘është unik’:
“Më gjeni një vend që një person ka humbur shtëpinë dhe tu jepet përsëri falas. Itali nuk jep shtëpi falas jep kredi të butë. Imagjino shqiptarët në bankë në rradhë për të marrë kredi për shtëpi. Qeveria bëroi një program në themel në kockë në palcë për tu dhënë shtëpi për tua rindërtuar shtëpitë. Deri në fund të mandatit do të kemi shtëpi të mbaruara.”
Deputetët po diskutojnë sot në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2021”.
Siç Exit News ka shkruar më parë, projektbuxheti 2021 hartuar nga qeveria është një buxhet për vit elektoral, me pretendime optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave dhe ku parashikohet dhënia e rreth 400 milionë dollarëve në kontrata të reja koncesionare.
Banka e Shqipërisë, gjatë mbledhjes me Komisionin e Ekonomisë, shprehu shqetësimin e saj për parashikimet e bëra nga qeveria në projektbuxhetin 2021, veçanërisht për mbledhjen e të ardhurave për vitin 2021, investimet përmes Partneriteteve Publike-Private dhe borxhit të lartë publik.
Ndër të tjera, BSH i ka rekomanduar qeverisë që të tregojë kujdesh me shpenzimet e parashikuara në projektbuxhet, të cilat janë të larta, dhe ti bazojë ato në varësi të ritmit së mbledhjes së të ardhurave.
Në lidhje me borxhin publik, BSH shprehu shqetësimin se pavarësisht parashikimit të qeverisë për të ulur borxhin me dy pikë përqindje deri në fund të vitit 2021, sërish niveli i borxhit mbetet shqetësues.