Prej të hënës, datë 20 prill, qeveria do të hapë aplikimet për paketën e dytë të ndihmës financiare për shkak të epidemisë.
Këtë e njoftoi Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, gjatë një interviste me Ilva Taren në Euronews.
“Sot (e enjte) firmoset vendimi i qeverisë, del në Fletoren Zyrtare, nesër përgatitet sistemi dhe që nga e hëna nisin aplikimet”
Më 13 mars qeveria u zotua të caktojë ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekësh për rreth 176 mijë qytetarë të cilët janë vënë në vështirësi ekonomike për shkak të epidemisë.
Megjithatë Ahmetaj u shpreh se kjo ndihmë e dytë financiare do jetë për rreth 310 mijë qytetarë.
Ahmetaj futi në këtë llogari edhe paketën e parë financiare, e cila deri të enjten, sipas tij, ka paguar me 26 mijë lekë 40 mijë qytetarë.
Në tërësi dy paketat financiare përllogariten sa 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministri Ahmetaj pranoi se për një periudhë të shkurtër vendi ka humbur 40 mijë vende pune, ndërsa për paketat financiare qeveria është detyruar të rishikojë disa investime dhe prokurime publike.
Zyrtarisht 2 tenderat për rindërtimin e 3 400 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë anuluar, por Ahmetaj nuk e përmendi këtë çështje.
Ai tha se bëhet fjalë për Rrugën e Arbrit, inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, apo i Rapiscan-it, por këmbënguli se projektet e rindërtimit nuk janë prekur.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se për shkak të epidemisë ekonomia e Shqipërisë mund të bjerë me 5 për qind, por Ahmetaj tha se kjo varet nga ndikimi që do të sjellë epidemia, kryesisht në turizëm.