Akademikët hungarezë letër publike Merkelit: Heshtja ju bën bashkëpunëtorë në shkeljet e Orbán

Akademikët hungarezë letër publike Merkelit: Heshtja ju bën bashkëpunëtorë në shkeljet e Orbán

Akademikë, shkrimtarë e aktivistë hungarezë kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre për heshtjen e kancelares gjermane Merkel teksa në Hungari Orbán, një lider me tipare diktatore, fitoi mandatin e tretë qeverisës.

Në një letër të hapur, ata shprehen se heshtja e Merkel dhe mosdënimi i shkeljeve që Viktor Orbán i ka bërë ndër vite parimeve demokratike, e bën Gjermaninë bashkëfajtore në shkatërrimin e demokracisë hungareze.

Viktor Orbán u zgjodh kryeministër për herë të tretë, një javë më parë. Orban do të mbahet mend si kryeministri që shtypi lirinë e medias dhe ndryshoi kodin zgjedhor për të favorizuar partinë e tij.

Akademikët, ndër të tjera, shkruajnë:

“Që kur u zgjodh kryeministër në vitin 2011, Viktor Orbán e ka kthyer median në vegël të propagandës së tij personale, ka detyruar shitjen e stacioneve televizive private në duart e aleatëve të tij politik dhe ka marrë kontroll efektiv mbi gjykatat më të rëndësishme në vend.

Orbán ka penguar masivisht punën e organizatave joqeveritare dhe institucioneve të pavarura akademike, ka mbushur komisionin zgjedhor të vendit me miqtë e tij dhe ka ndryshuar kodin zgjedhor për të favorizuar partinë e tij politike, Fidesz. Si rezultat, ekspertët kryesorë besojnë se zgjedhjet e fundit në Hungari ishin jo të lira dhe vështirë se mund të quhen të drejta.

Madje Viktor Orbán ka përdorur fonde publike për të financuar dhe fushata kundër hebrenjve që jetojnë në Hungari.

Studiuesit e politikës janë të bindur se mbijetesa e demokracisë hungareze tashmë është e rrezikuar shumë; disa madje besojnë se ajo tashmë është shkatërruar në mënyrë përfundimtare.

E megjithatë, ju si kancelare gjermane deri më tani nuk e keni dënuar as retorikën anti-semite të Orbánit apo sulmet e tij të përbashkëta ndaj institucioneve demokratike.

Madje, megjithëse partia që ju udhëhiqni është aleate në Parlamentin Evropian me partinë e Orbán, megjithëse deputetët e CDU-së kanë ndihmuar vazhdimisht në legjitimin e Orbán si kryeministër, ju kurrë nuk i keni kërkuar Viktor Orbánit që të ndryshojë retorikën.

Kjo heshtje ju bën bashkëfajtorë!

Mosveprimi juaj ju ka bërë aleatë të forcave anti-demokratike dhe antisemite.

Nëse pakicat fetare, duke përfshirë hebrenjtë, duhet të ndihen të sigurt në Evropë, ata duhet të dinë se udhëheqësit më të rëndësishëm politik të kontinentit nuk do t’i shesin kurrë.

Bashkimi Evropian bazohet në vlera, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Duke i lejuar qeverisë hungareze të shkatërrojë institucionet demokratike dhe të demonizojë pakicat, BE rrezikon të kthehet thjesht në një treg rajonal, shumë larg vlerave të përbashkëta demokratike.

Ne jemi të vetëdijshëm se për shumë arsye, është e leverdishme për ju të injoroni atë që po ndodh në Hungari. Por mbijetesa e demokracisë dhe siguria e hebrenjve evropianë nuk duhet të trajtohet kurrë si një çështje e thjeshtë në dobi të situatës politike.

Dhe kështu, e vetmja mënyrë minimale e ndershme që mbetet e hapur për ju në këtë fazë të vonë është të dënoni sulmin e Orbánit ndaj vlerave demokratike dhe t’i kërkoni Partinë Popullore Evropiane të përjashtojë partinë e Orbánit, Fideszin.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>