Regjisori dhe aktori italian Michele Placido i është bashkuar sot nismës së artistëve dhe qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Me anë të një lidhje direkte me televizionin Fax News, Michele Placido u shpreh:
“Mendoj se debati për teatrin është pozitiv pasi nuk mund të fshihet historia që përmban ajo godinë. Unë e kam parë këtë teatër dhe shembja e tij do të ishte një humbje e madhe për Tiranën.”
Aktori shprehu mbështetjen për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të mos e shembë godinën historike të teatrit:
“Jam këtu për të dëshmuar faktin se e mbështes këdo që kërkon të ruajë këtë trashëgimi. Një vend nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar ndërtesat e vjetra kulturore, sepse nuk është kjo mënyra se si ti i prezantohesh Evropës. Shembja e kësaj godine do të ishte një akt barbar që do të shkonte kundër historisë së vendit tuaj, megjithëse nuk besoj se qeveria shqiptare do ta ndërmarrë një hap të tillë, sepse do të shkatërronte një pjesë të kulturës shqiptare.”