Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të shkojë të hënën, 13 korrik, në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, për tu intervistuar për akuzat që rëndojnë ndaj tij për krime gjatë Luftës së Kosovës.
Në 24 qershor Presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së Kadri Veseli, bashkë më të tjerë, janë akuzuar zyrtarisht për krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Kosovë.
Thaçi shkon në Hagë duke mbajtur ende postin e presidentit.
Në 29 qershor, ai deklaroi se do të japë dorëheqjen nëse aktakuza e Prokurorisë Speciale do të konfirmohet.
Presidenti kosovar e ka quajtur shpalljen publikisht të aktakuzës së Prokurorisë Speciale si skandaloze dhe si “çmimin e fundit që duhet të paguajë për lirinë e Kosovës.”
Ai ka lënë të kuptohet se akuzat ndaj tij janë politike pasi erdhën pak ditë para takimit të delegacionit kosovar me atë serb në Uashington, për rinisjen e dilaogurt mes dy vendeve.
“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që –në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë– doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. Rrugën ma prenë Por nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës,” – ka deklaruar Thaçi.