Albin Kurti gati të heqë taksën ndaj Serbisë në këmbim të reciprocitetit

Albin Kurti gati të heqë taksën ndaj Serbisë në këmbim të reciprocitetit Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se taksa 100 për qind ndaj Serbisë do të hiqet vetëm kundrejt reciprocitetit nga ana e Serbisë.

Në një postim në Facebook, Zoti Kurti shprehet se si kryeministër ka premtuar se do ta heqë taksën dhe do t’i qëndrojë fjalës së tij:

“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%.”

Zoti Kurit tha se pret nga Serbia që të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës:

“Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.”

Pak ditë më parë, në një letër publike, ish-kryeministri Ramush Haradinaj i kërkoi Kurtit të mos e heqë taksën ndaj Serbisë.

Duke i kujtuar se ndërkombëtarët mund ta joshin me përfitime të momentit, Haradinaj i shkruante Kurtit se ato janë vetëm përfitime të përkohshme dhe se Kosova duhet të kërkojë reciprocitet të plotë nga Serbia dhe njohje të pavarësisë në këmbim të heqjes së taksës.

Këto deklarata vijnë pas vizitës së ditëve të fundit të  të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve në Kosovë, Richard Grenell, i cili në takimet me Kurtin ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë.

Si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kryetarja e re e kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se taksa 100 për qind ndaj Serbisë do të “zëvendësohet  me reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar” pa sqaruar më qartë se si do të ndodhë kjo.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme