Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një takimi bilateral në Tiranë me kancelaren gjermane, Angela Merkel deklaroi për gazetarët se kjo e fundit nuk i kishte kërkuar përfshirjen e Kosovës në projektin Open Balkans.
Ai pohoi se Procesi i Berlinit ishte i mjaftueshëm për integrimin e vendeve të Ballkanit dhe se çdo nismë duhet të përfshinte edhe BE-në.
“Procesi i Berlinit është i nevojshëm edhe i mjaftueshëm për rrugëtimin Europian. Ballkani jo vetëm nuk është 3 shtete por nuk është as 6 shtete. Pasnesër do të kemi një takim me qeverinë e Shkupit, por iniciativa të tilla nuk duhet të bëhen pa BE-në brenda.
Kurti bëri me dije se do të kërkojë një takim me Ramën, sapo të formohet qeveria e re, pasi raporti me Serbinë ka krijuar diferenca me Shqipërinë.
“Kosova është një shtet i pavarur për të cili ne duhet të angazhohemi të kërkojmë njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë… Sa të formohet qeveria ne do të fillojmë iniciativën për takimin. Ne kemi shumë gjëra që na largojnë dhe afrojnë por kjo gjë na ndan,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se objekti i takimit me Merkel ka qënë dialogu Kosovë-Serbi, për të cilin përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se trysnia për normalizimin e raporteve, duhet të jetë mbi Serbinë për shkak të krimeve të luftës, për të cilat ai pohoi se nuk do reshtnin së kërkuari drejtësi.
“Për raporte normale në Ballkan nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. Bëjnë gabim ata që ndërtojnë trysni mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë që mohon krimet. Kjo është detyrë e çdo shqiptari”- tha Kurti.