Albin Kurti propozon një marrëveshje të re për Ballkanin Perëndimor

Nga Exit News
Albin Kurti propozon një marrëveshje të re për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka propozuar një marrëveshje të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë samitit të liderëve të rajonit që u mbajt sot në Tiranë.

Kurti e ka pagëzuar këtë iniciativë si Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – ose SEFTA.

Marrëveshja do të përfshijë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë “si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta”.

Sipas propozimit të Kurtit, SEFTA do të krijojë një zonë ekonomike të përbashkët të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të saj do të krijohet një Këshill, Komitet i Përbashkët, Gjykatë, Sekretariat dhe autoriteti i Mbikëqyrjes.

Propozimi parashikon që pasi të krijohet SEFTA, BE do të lidhë një marrëveshje me të për të zgjeruar katër liritë së – lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, personave dhe kapitalit – në të gjithë vendet e SEFTA-s.

Marrëveshja me BE-në do të parashikonte gjithashtu një mekanizëm mbikëqyrjeje, të drejtuar dhe operuar në kuadër të Bashkimit Evropian për të siguruar që të gjithë anëtarët e respektojnë marrëveshjen.

Një marrëveshje e ngjashme me propozimin e Kurtit që është aktualisht në fuqi është Marrëveshja për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila parashikon krijimin e një zone të lirë ekonomike, ku Ballkani trajtohet në mënyrë preferenciale në raportet ekonomike nga BE.

LEXO  Nis rindëtimi i 2 shkollave të dëmtuara nga tërmeti në Marikaj

Por CEFTA nuk ka sjellë rritjen e pritshme të tregëtisë rajonale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kurti ka kundërshtuar modelin aktual të CEFTA pasi sipas tij ai e trajton si të pabarabartë Kosovën.

Një propozim tjetër rajonal është “Shengeni Ballkanik” i propozuar nga kryeministri Rama dhe i mbështetur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në dallim nga SEFTA dhe CEFTA, “Shengeni Ballkanik” bazohet në vullnetin politik të anëtarëve të tij për vendosjen e 4 lirive të BE-së mes tyre pa mekanizma mbikqyrës nga jashtë. Ky propozim u kundërshtua nga Bosnja dhe Kosova. Prishtina pretendoi se ajo nuk njihet si shtet i pavarur nga Beogradi brenda kësaj marrëveshjeje.

Propozimet për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor vijnë në kuadër të procesit të Berlinit. Kjo është një iniciativë e nisur nga kancelarja Merkel e cila kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor para integrimit në BE të integrohen rajonalisht duke u bazuar në legjislacionin e kërkuar nga Brukseli.

Në konferencën për shtyp në përfundim të Samitit, kryeministri Rama u shpreh se ka rëndësi kryesore “jetësimi i 4 lirive të Evropës në rajon” pavarësisht “si e quan njëri apo tjetri”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme