Albin Kurti – sharra në gozhdë e pazarexhinjve të politikës dhe gazetarisë

Nga Ermal Mulosmani
Albin Kurti – sharra në gozhdë e pazarexhinjve të politikës dhe gazetarisë

Albin Kurti është kryefjala e debatit politik prej datës 6 Tetor. Kurrë më parë ndonjëherë, Tirana dhe Prishtina, nuk janë trandur në hamendje, parashikime dhe sidomos paragjykime.

Baton Haxhiu, eksponenti më i njohur i korridoreve qeverisëse të Tiranës dhe Prishtinës, por, po aq edhe protagonist në debatet televizive, deklaroi mbrëmë:

“Nëse Albin Kurti mbyll dialogun me Serbinë me njohjen e Kosovës dhe bën bashkimin me Shqipërinë, unë jam i pari që e duartrokas.”

Kjo ishte njësoj sikur Ibrahim Rugova më 1998, të thoshte: “Nëse UÇK-ja mund forcat serbe dhe i përzë ato nga Kosova unë do ta njoh si forcë çlirimtare”.

Lind pyetja,  pse kjo pritshmëri kaq e lartë për gjëra kaq madhore, ndaj një njeriu që ka fituar vetëm 26 për qind të votave popullore, që duhet të ndajë gjysmën e pushtetit  me një parti tjetër për të udhëhequr Kosovën?

Përgjigja  është fare e qartë.

Albin Kurti është krejt e kundërta e politikanëve të establishmentit tonë. Ai është parimori e jo pazarexhiu, dinjitari  jo servili, i barabarti jo inferiori, i dituri jo injoranti.

Ai nuk i pyet këta për gjithçka.

Duke thënë këtë, unë nuk po them se është i duhuri.  Nëse debati do të përqendrohej në konceptet e gabuara të Albinit për rolin e shtuar të shtetit në ekonomi e drejtësi do ishte më logjik dhe i pranueshëm. Por, duke u fokusuar në politikën e jashtme, në dialogun me Serbinë e çuan topin në pikën e fortë të tij.

********

Fjalët e Andi Bejtes, mbrëmë, më së shumti u drejtoheshin gazetarëve që kishte përballë:

“Pushteti i pazarexhinjve të gazetarisë, politikës dhe shoqërisë civile pësoi një goditje shkatërrimtare.”

Ky është thelbi i gjithë diskutimit. Ky është zemërimi i vërtetë i kundërshtarëve të tij.

Për të ilustruar këtë koment të Bejtes po marr në diskutim disa komente të Batonit.

Së pari ai e quajti Qeverinë e Kosovës si “Qeveri të dialogut” dhe jo qeveri e problemeve sociale që ka Kosova. Kështu është mësuar, ai i sajonte prioritetet.

Megallomania e përcaktimit të prioriteteve nga Batoni ka marrë fund! Prioritetet qeverisëse për herë të parë i përcakton një marrëveshje e VV me LDK, respektivisht Albini dhe Vjosa në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Batoni vetëm mund t’i lexojë në gazetë ose në televizior. Dhe kjo është drama e tij më e madhe. Ai për momentin ka humbur ndikimin në Kosovë. Hashim Thaçi është defaktorizuar dhe me mundim të madh do t’a çojë mandatin e tij deri në fund, në Shkurtin e 2021-shit. Gjithë përpjekja e tij për ndarjen e Kosovës është kthyer në pikën zero. Prandaj edhe Batoni ngutet të paragjykojë dështimin e Kryeministrit të ri.

Për Batonin dhe bashkëbiseduesit e tij të dikurshëm, hallet e njerëzve, papunësia, korrupsioni, drejtësia, kapja e shtetit janë çështje të dorës së dytë a të tretë. Madje ato duheshin hequr nga tema e diskutimeve Kryeministrore pasi e ulin pjacën e tyre. Në “katin e epërm” të polititkës shqiptare, atje ku banonin Batoni, Rama dhe Thaçi nuk ka vend për tema të tilla, ordinere.

Aty bëhen pazare gjeopolitike dhe vendoset e ardhmja e kombit në 100 vjetët e ardhme.  Shqiptarët do t’i mësonin me kohën përpjekjet titanike “të heronjve të vërtetë të atyre kohëve të vështira”, atyre që u martirizuan në darka e biseda pafund, pazare e negociata me miqtë ish-jugosllavë…

Komenti i dytë që dua të marr në diskutim është ai mbi historinë. Albin Kurti tha:

Serbia duhet të shohë veten në pasqyrë e jo shqiptarët me dylbi. Zgjidhjet territoriale të stilit të Tugjmanit me Millosheviçin me lapsa në harta, me mua nuk do të ndodhin!”

Ky ishte një moment i jashtëzakonshëm dinjiteti të cilin Batoni e përbuzi duke e quajtur “retorikë nacionaliste” që e ka thënë çdo njeri në Kosovë por është në nivelin e një OJQ-je. Sepse ai ka përçmim për dinjitetin si diçka e tejkaluar.

Përnjëherësh, ai u fut në hallet e qytetarëve që duhej të kishin lëvizjen e lirë (liberalizimin e vizave) dhe për të arritur aty duhej të mbyllnin dialogun si kusht i vetëm.

Pak më lart thotë se kjo është “Qeveri e dialogut jo e problemeve sociale”. Ndërsa, kur Kryeministri i ri u përmend xhelatëve vendin e tyre dhe pamundësinë për të vënë kushte viktimave të tyre, Batoni kalon te hallet e njerëzve…Që qenkan vizat dhe qarkullimi i lirë.

Se edhe hallet e njerëzve i përcakton Batoni. Ato janë vizat jo korrupsioni e varfëria. As drejtësia e papunësia… Jo mo, këto janë ca çështje vocërrake…

Madje, Batoni deklaroi që aq të dëshpëruar janë njerëzit nga mosliberalizimi i vizave sa “mund ta sulmojnë veriun” si shkakun e dështimit. A thua se njerëzit kanë vetëm çështjen e vizave, po u zgjodh ajo, Kosova shpëtoi…

Kaq shumë e shqetëson dinjteti, barazia në komunikim, përmendja e të vërtetave. Sepse ai mund të mërzitë ish jugosllavët dhe i lamë duart. Duhet nënshkrim i paqes dhe duhet urgjentisht, sa më shpejt se kështu na tha ai burri i Amerikës dje!

Sa i përket raportit të Albin Kurtit me Edi Ramën, Batoni iu referua një deklarimi të vjetër të Ramës ku e quante Albinin “pasuri kombëtare”. Sipas Batonit, nuk është “fer” që Albini ta harrojë këtë. Ai nuk tregoi se ku Albini është treguar mosmirënjohës.

Albini vetëm sa tha që mardhëniet me Ramën për momentin nuk janë të mira. Kaq. Ku konsiston mosmirënjohja këtu?! A mos duhet që për hir të atyre fjalëve të Ramës Albini të bëhej vasal i tij i përjetshëm? Ky ishte një zhgënjim i jashtëzakonshëm për konceptet që kishte gazetari për mirënjohjen.

Por, perla e mbrëmjes erdhi nga Preç Zogaj. Ai kishte lexuar një shkrim “mjaft interesant” të Rexhep Qoses ku thoshte:

“Duhet nënshkruar marrëveshja e paqes me Serbinë sepse mund të ndodhë ndonjë ndryshim i rendeve botërorë dhe Serbia mund të ankohej se “në kohën e rendit të lirive dhe të drejtave na e kanë pasë marrë Kosovën me pa të drejtë.

Aty pastaj e kuptova efektin e Albin Kurtit. Këta qenkan çmendur fare!


Publikuar më parë tek Gazeta Express.

Botuar nga Exit.al me lejen e autorit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>