Në një letër të hapur drejtuar Komisionerit të BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kritikuar “standardet e dyfishta” të Komisionit Evropian lidhur me heshtjen dhe lejimin e shkatërrimit të Teatrit Kombëtar përmes një ligji special që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit mes BE-së dhe vendit tonë.
Duke theksuar rëndësinë e kushteve kur kjo ngjarje po ndodh: në një moment kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston dhe vendi praktikisht është në situatë ekstra-ligjore, Aleanca i drejtohet Hahn:
“Ju kërkuat, promovuat, dhe mbështetët një Reformë në Drejtësi që zhbënte në mënyrë të paprecedentë gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sot, Ju ju kërkohet që të qëndroni pro parimeve mbi të cilat e kërkuat dhe mbështetët këtë reformë. Sjellja aktuale e Qeverisë fatkeqësisht tregon së asnjë prej atyre parimeve nuk respektohet sot.”
Më tej artistë e aktivistë shprehin zhgënjim për reagimin e Komisionit Evropian për ligjin “special” të Teatrit Kombëtar, të cilin shumica socialiste e miratoi sërish me ndryshime estetike që nuk prekin thelbin dhe që sërish nuk adreson asnjë nga shkeljet e Kushtetutës dhe parimeve demokratike që si Komisioni Evropian ashtu dhe Presidenti Meta kanë ngritur:
“Qeveria Rama është përfshirë prej muajsh në një aksion krejtësisht antikushtetues dhe të paligjshëm për zbatimin e një skeme korruptive për të zhvilluar në interes të miqve të Kryeministrit një pronë publike në qendër të Tiranës.
Duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese në vend, një gjendje e paprecedent në asnjë shtet demokratik, me një të ashtuquajtur “ligj të veçantë” Qeveria ka uzurpuar kompetencat e pushtetit lokal, duke shkatërruar procesin e decentralizimit vendor, për të cilën BE ka investuar gjatë; ka shkelur çdo lloj ligji dhe procedure të prokurimeve publike; ka shkelur Konventën e Aarhus-it dhe të gjitha ligjet dhe praktikat për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrjen mjedisore për të cilat vetë BE ka investuar kohë dhe fonde; ka shkelur ligjet për trashëgiminë kulturore duke refuzuar vlerësimet e specialistëve lokal e të huaj.
Ne vlerësojmë se përgjigjia [që morëm nga Komisioni Evropian] ishte zhgënjyese dhe bie ndesh me gjithë propagandën, fondet, kohën, dhe burimet që BE ka shpenzuar për vite me radhë për forcimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Duke hequr dorë nga çdo detyrim për të komentuar problemet e shkaktuara nga “ligji special”, është e arsyeshme për ne të dyshojmë se Ju sot përdorni standarde të dyfishta në punën dhe praktikën tuaj.
Megjithëse publikisht Ju vazhdoni të predikoni integrimin evropian dhe standardet evropiane në Shqipëri, në praktikë Ju keni shfaqur mbështetje pa kushte ndaj Qeverisë në emër të një stabiliteti absurd, i cili bazohet mbi padrejtësitë, korrupsionin, e fatkeqësisht, së fundmi edhe kriminalitetin.
Indiferenca ndaj shkeljeve të vazhdueshme që ndodhin në Shqipëri, edhe në rastet kur jeni të justifikuar dhe keni mundësinë të ndërhyni kundra tyre, ju kthen në mundësues të korrupsionit, keq-qeverisjes dhe kriminalizimit të qeverisjes dhe vendit, të cilat ju jeni zotuar publikisht ti luftoni.
Ju me të drejtë kërkoni nga ne që të sillemi si evropianë, të ngremë zërin ndaj padrejtësive dhe të kërkojmë llogari nga politikanët tanë. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është rasti më i mirë për të treguar se shqiptarët janë në gjendje të sillen në këtë mënyrë.
Tani jeni Ju që duhet të filloni të na konsideroni si evropianë. Asnjë qeveri e një vendi anëtar në BE nuk do të mund të ndërmerrte veprimet që ngjasojnë sadopak me ato të qeverisë shqiptare gjatë muajve të fundit. Akoma më tej, asnjë politikan apo burokrat i Komisionit nuk do të ishte indiferent nëse kjo do të ndodhte në një vend anëtar.
Është koha që këto standarde t’i aplikoni edhe në Shqipëri i nderuar Komisioner.”