Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar (AMTK) kallëzoi për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë së Tiranës, tre nga pesë inxhinierët e Institutit të Ndërtimeve, të cilët hartuan akt-eskpertizën për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Në një deklaratë për shtyp, AMTK deklaroi se ky akt-ekspertizë është bërë me dokumente të falsifikuar. Tre nga pesë inxhinierët, të cilët kanë hartuar aktin, nuk ka qënë asnjëherë pranë Teatrit për të kontrolluar gjendjen e tij.
“3 nga 5 inxhinierët nuk kanë qenë asnjëherë në objekt.
Këta tre specialistë i kanë propozuar bashkisë dhe këshillit të bashkisë shembjen e objektit pa ardhur dhe konstatuar objektin.
Ata duhet të kishin ardhur ta këqyrnin. Këta nuk kanë qenë në aktin e 2018, janë të futur rishtazi dhe duket që janë të përdorur për të firmosur këtë akt, për të cilin bashkia mori vendimin për ta prishur.”
Më parë Exit argumentoi se ky akt ekspertim, i cili shërbeu si bazë për të vendosur prishjen e Teatrit Kombëtar është i paligjshëm.
Mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak miratoi në mënyrë të fshehtë dhe në shkelje të procedurave vendimin për shembjen e teatrit.