Sot në orën 18:00, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të marshojë drejt Presidencës për t’i kërkuar Presidentit Meta të mos e dekretojë versionin e ri të “ligjit special”, sepse ai është anti-kushtetues dhe kundra parimeve të shtetit ligjor.
Marshimi do të nisë tek Sheshin e Teatrit, për të vazhduar në Bulevardin Dëshmorët e Kombti drejt Presidencës.
Pak ditë më parë, Aleanca i ka dërguar një letër Presidentit Meta me argumentet se përse ligji “i ndryshuar”, të cilin shumica socialiste miratoi më 20 shtator, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik, ndaj nuk duhet të dekretohet.
Ligji i ndryshuar special, siç e kemi shpjeguar dhe më parë, në të vërtetë nuk merr në konsideratë asnjë nga shkeljet që Presidenti Meta renditi si argumente kur nuk e dekretoi ligjin special të Teatrit për herë të parë.
Presidenti Meta ka afat deri më 14 tetor për ta dekretuar ose kthyer në parlament ligjin “e ndryshuar” të Teatrit. Në rast se presidenti nuk shprehet, ligji miratohet në heshje dhe i hapet rruga shembjes së Teatrit dhe kalimit të pronës publike kompanisë Fusha për të ndërtuar kulla.