Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përshëndet aktin e presidentit: Do të vazhdojmë betejën

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit përshëndet aktin e presidentit: Do të vazhdojmë betejën

Artistët dhe aktivistët që prej muajsh kanë protestuar për mbrotjen e Teatrit Kombëtar dhe pronës publike, përshëndetët sot mosdekretimin e ligjit special nga Presidenti Meta dhe kthimin e tij në kuvend.

Me anë të një deklarate për median, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shkruan:

“Qëndrimi i sotshëm i Presidentit rikonfirmon vlefshmërinë dhe saktësinë e argumenteve të paraqitura nga Aleanca, të reflektuara tashmë edhe në 15 pyetjet që Komisioni Evropian i ka dërguar Qeverisë shqiptarë në lidhje me këtë ligj.

Ashtu siç e kemi theksuar në mënyrë të vazhdueshme, problemi i Teatrit nuk ishte thjesht një problem i trashëgimisë kulturore.

Ligji special ishte një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese, e barazisë para ligjit dhe ndarjes së pushteteve, e konventave ndërkombëtare, dhe e legjislacionit aktual.

Ai ligj përbën një precedent të rëndë për mënyrën se si Qeveria duhet të sillet në një shtet demokratik, për procesin e vendimmarrjes dhe transparencës që duhet ta shoqërojë atë.

Pikërisht pasi besojmë së precedenti që ky ligj krijonte ishte tejet i rrezikshëm për demokracinë e brishtë shqiptare, ne falenderojmë të gjitha ata faktorë që në një mënyrë ose tjetër kontribuan për këtë vendim.”

Duke theksuar se nisma e qytetarëve në mbrojtje të Teatrit dhe pronës publike do të vazhdojë, Aleanca e mbyll deklaratën e saj:

“Duam ti bëjmë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të mbrojnë këtë kauzë. Beteja për Teatrin është beteja për një shtet ligjor, është beteja që mbron shtëpitë, pronat dhe të drejtat e çdo qytetari. Ajo na përket të gjithëve, pavarësisht mendimeve dhe vlerësime mbi statusin dhe bukurinë e godinës. Një Qeveri që grabit sot pronën e përbashkët publike, është një Qeveri që nesër do grabisë pronat private të qytetarëve. Prandaj, sot më shumë se kurrë, rezistenca e përbashkët është një detyrim historik i të tërëve!”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>