Aleanca i përgjigjet Veliajt: Bëj transparente vendimarrjen dhe tenderin për teatrin

Nga Redaksia
Aleanca i përgjigjet Veliajt: Bëj transparente vendimarrjen dhe tenderin për teatrin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatriti (AMT) i kërkoi Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, që përpara se të shprehet rreth çështjes së teatrit të bëjë publike procedurat e vendimmarrjes për tenderin që parashikon prishjen e tij.

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, zoti Veliaj u shpreh se ishte i vendosur t’i shkonte deri në fund projektit të Teatrit Kombëtar.

“Qytetarët duan zhvillimin, duan rrugën, duan piramidën, duan teatrin, duan bulevardin e ri […] duan transformimin e çdo lagjeje […] Askush nuk do të guxojë që të ndalë orën e Tiranës.”

Përmes një postimi në Facebook, AMT, iu përgjigj duke kundërshtuar mënyrën se si qe vendosur projekti:

“I kërkojmë (kryebashkiakut Veliaj) […] të bëjë transparent me urgjencë gjithë procesin e vendimmarrjes për tenderin për Teatrin sepse kanë kaluar gjithë afatet zyrtare për këtë gjë. Përveç pasojave politike, mosrealizimi i kësaj transparence do të ketë pasoja ligjore për të.”

Tenderi për ndërtimin e teatrit u hap në muajin korrik dhe kishte afat deri shtatorin, por asgjë nuk është bërë e qartë për publikun se kush ishin pjesëmarrësit, klasifikimi i ofertave apo fituesi.

Prej 2 vitesh qytetarë, artistë dhe aktivistë të ndryshëm të shoqërisë civile kanë kundërshtuar projektin e qeverisë dhe bashkisë që parashikon shembjen e teatrit, tjetërsimin e një pjese të pronës së saj dhe rindëritmin nga privatë, të cilët përfitojnë leje për të ndërtuar pas kulla.

Prej muajit korrik artistët kanë rihapur Teatrin Kombëtar duke organizuar rreth 50 shfaqje artistike.

Ndërkohë nga 10 dhjetori 2019, ndërtesa e teatrit është një nga 14 vendndodhjet më të rrezikuara të Europës, duke u njohur kështu si pasuri me vlera dhe pjesë e trashëgimisë Europiane.

Së fundmi aktivistët e Aleancës patën një presion të madh publik pas përpjekjes së aktorit Laert Vasili për të nxjerrë idenë se ishte dhunuar fizikisht prej tyre. I njëjti presion u shfaq edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, ku përpjekja për të kërkuar sqarim rreth zhvendosjes së disa ndihmave në mjediset e Ministrisë së Brendshme u kthye në shenjestrim nga Ministri Lleshaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>