Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit njoftoi se do të ndërtojë shtëpi të përkohshme për të prekurit nga tërmeti, me fondet e mbledhura nga qytetarët.
Që prej tërmetit 6.3 ballë i cili goditi Shqipërinë më 26 nëntor, rreth 200 vullnetarë rreth Aleancës kanë mbledhur dhe shpërndarë mbi 40 ton ushqim, veshje, batanije dhe dysheqe tek 9000 njerëz.
Aleanca njoftoi në Facebook se ka vendosur t’i përdorë paratë e mbledhura për të ndërtuar banesa të përkoshme me kontenierë, të cilat do i mundësojnë të prekurve të qëndrojnë në tokën e tyre dhe të vazhdojnë jetën.
“Sot, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vendosi me unanimitet që, ato pak para që janë siguruar nga donacionet monetare të qytetarëve, regjistruar me transparencë, të shfrytëzohen për ngritjen e kontenierëve – shtëpive pas-tërmet të përkohshme, deri në rindërtimin e shtëpive[…]”
“Këto shtëpi mundësojnë që të prekurit nga tragjedia e tërmetit të mbeten në shtëpinë e truallin e tyre, në kontakt me pronën e tyre, në gjendje pune, gati për të filluar jetën pas-tërmet,” shkruhet me tej në deklaratë.
Aleanca i bënë thirrje qeverisë dhe donatorëve të tjerë që të ndjekin të njëjtin model, derisa të pastrehët të akomodohen përfundimisht.
Në kohën që po shkruaj, besohet se mbi 5000 shqiptarë janë zhvendosur për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar apo dëmtuar, ose nga frika apo pasiguria për t’u kthyer në shtëpi. Disa janë në hotele, të tjerë janë në tenda dhe disa janë të akomoduar në mënyrë të përkohshme.
Aleanca shtoi se në ditët në vijim do të bëjnë publike detajet e procesit, përfshirë vendodhjen e këtyre shtëpive. Ata konfirmuan se kanë porositur kontenierët dhe se porosia do të mbërrijë për disa ditë.
Aleanca pë Mbrojtjen e Teatrit u formua 18 muaj më parë si kundërpërgjigje ndaj planit të qeverisë pë të shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe për t’ia dhënë tokën publike një kompanie private për ta zhvilluar. Një grup artistësh, shkrimtarësh, akademikësh dhe qytetarë vazhdojnë të protestojnë kundër kësaj marrëshjeje plot shkelje e paligjshmëri, çdo ditë, për njëvit e gjysmë, në mënyrë paqësore, duke organizuar aktivitete dhe shfaqje të ndryshme kulturore.