Uta Ibrahimi ngjiti majën e Everestit në vitin 2017, duke u bërë e para grua shqiptare nga Kosova që vendosi flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës në këtë majë. Revista Rock and Ice raporton se Uta tani po stërvitet për t’iu ngjitur njërës prej majave më të rrezikshme në botë– faqes jugore të Malit Lhotse në Himalaje. Ajo do t’i bashkohet një skuadre alpinistësh profesionistë, të cilët do të marrin një rrugë pak më të ndryshme nga nga shtegu që mban emrin Jerzy Kukuczka– alpinisti polak që humbi jetën në vitin 1989 në përpjekje për t’iu ngjitur kësaj faqeje.
Përveçse është mali i katërt më i lartë në botë– plot 8,516 metër– faqja jugore e malit Lhotse është tmerrësisht e rrezikshme, pasi ka një pjesë prej 3,300 metrash që është një masë akulli dhe shkëmbi thuajse krejtësisht vertikale. Koha e keqe, ortekët dhe rreziku për shkëputjen e shkëmbinjve e bëjnë këtë anë të malit kërcënuese në maksimum për jetën e alpinistëve.
Kanë qenë të shumtë alpinistët profesionistë që e kanë provuar këtë rrugë, por thuajse të gjithë kanë dështuar. I vetmi grup që ka arritur majën nga faqja jugore ka qenë një ekspeditë ruse me 18 anëtarë në vitin 1990. Të gjitha përpjekjet e tjera, nga alpinistët më në zë në botë, kanë dështuar. Një ekip japonez arriti t’i afrohej majës në vitin 2016, por vetëm 41 metra prej saj vendosën se duhet të ndalonin dhe të ktheheshin, pasi rreziku ishte i papërballueshëm.
Megjithatë, për Utën kjo është mundësi që të vjen një herë në jetë. Ajo e pranoi ftesën e një alpinisti profesionit koreanojugor– Hung Sung Taek– për t’iu ngjitur kësaj faqeje bashkë me ekipin e tij me alpinistë të sprovuar. Vetë Sung Taek është përpjekur pesë herë të ngjitet nga kjo anë, por nuk ia ka dalë. Në vitin 2017 ai u kthye pas vetëm 200 metra larg majës. Kjo do të jetë hera e tij e gjashtë.
Uta Ibrahimi kishte një karrierë të suksesshme në marketing në Kosovë përpara se të vendoste t’ia kushtonte kohën alpinizmit dhe ngjitjes së majave më të larta në botë. Tani ajo është duke u stërvitur në Kolorado, SHBA, për sfidën e rrezikshme të radhës.
Para pak kohe, Uta u emërua Kampione e OKB-së për Objekivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ajo po punon për të përmirësuar problematikat e barazisë gjinore dhe të çështjeve të mjedisit në Ballkan.