Ambasada amerikane shpjegon Byronë e Hetimit pa thënë se pse nuk është formuar ende ajo

Ambasada amerikane shpjegon Byronë e Hetimit pa thënë se pse nuk është formuar ende ajo

Ambasada Amerikane në Tiranë postoi sot videon e radhës për reformën në drejtësi. Në të ajo shpjegon Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), por nuk thotë se kur do të formohet ky organ i ri i drejtësisë dhe se pse nuk është formuar ende.

Në video shpjegohet se drejtuesi i BKH zgjidhet nga Kryeprokurori i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe dy prokurorë të saj.

Ambasada thotë se:

Detyra e BKH është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë.

BKH krahasohet nga ambasada me FBI-në dhe në video thuhet se hetuesit e saj do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virginia të SHBA-ve.

Ashtu si në katër videot e shkuara, ku është folur për reformën, vetingun, SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, edhe në videon e radhës, ambasada nuk flet për ngecjet e procesit, por thekson se institucionet e reja të drejtësisë do të kenë integritet dhe do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm. Në këtë cilësim ajo përfshin edhe Byronë e Hetimit.

Që prej 22 korrikut ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka nisur të postojë video shpjeguese për reformën në drejtësi. Në disa raste ajo ka keqinformuar publikun, pasi nuk ka folur për zvarritjet e procesit dhe faktin se organet e drejtësisë nuk janë formuar ende.

Reforma në Drejtësi nisi tre vite më parë dhe ende ajo nuk ka nxjerrë organe të plota.

Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Gjykata e Posaçme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Byroja Kombëtare e Hetimit, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, janë jo-funksionale pasi nuk kanë kuorumin e duhur.

Shpjegimi në videon e pestë të ambasadës amerikane:

Çfarë është BKH?

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) është njësia hetimore e SPAK-ut. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë.

Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virginia.

Ligji mbi SPAK-un, po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH.

BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI-së.

Kryeprokurori i posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë zgjedhin bashkarisht drejtorin e BKH-ës. Ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar drejtorit dhe hetuesve të BKH-ës do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat për të siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.

Pse është e rëndësishme BKH?

Në të kaluarën, cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë.

Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në Gjykatë.

Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japing llogari dhe do të përballen me drejtësinë.

Prokurorët e posaçëm dhe BKH janë këtu për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>