
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë për vendet e lira në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Në një postim në Facebook, ambasada shkruan se të gjithë ata që kërkojnë të bëhen si një nga agjentët e FBI-së, t’i përgjigjen thirrjes së BKH-së për rekrutimin e agjentëve.
“BKH-ja po kërkon gra dhe burra nga një gamë e gjerë prejardhjesh profesionale, të cilët mund të përmbushin standardet e tyre të larta të zhdërvjelltësisë mendore dhe aftësisë fizike, të ngjashme me ato të FBI”, shkruan ambasada e SHBA-së.
Një javë më parë, BKH shpalli garën për 32 hetues pranë këtij insitucioni.
Deri më tani 28 kandidatë për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit kanë përmbushur kushtet e sigurisë dhe janë pranë certifikimit.