Ambasada e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones: Duhet vullnet politik për të luftuar krimin

Ambasada e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones: Duhet vullnet politik për të luftuar krimin

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, pas pothuajse 4 vjet heshtje përballë situatës së drogës dhe pastrimit të parave në Shqipëri, më në fund ka ndryshuar qëndrim. 6 muaj pas largimit të Ambasadorit Donald Lu, e ngarkuara me punë Leyla Moses në një aktivitet “Për një Shqipëri pa kanabis” ka bërë disa deklarata të forta publike.

1 — Shqipëria nuk mund të shërbejë si strehë e sigurtë për krimin

Duhen vendosur pengesa të tjera që trafikantët mos ta shohin Shqipërinë si vend lejimi. Kapja e Kelment Balilit dhe e Arbër Çekajt duhet të shërbejnë si gurë themeli për këtë përpjekje të gjatë”.

Sot, Shqipëria është një vend i sigurtë për kriminelët shqiptarë, të cilët e zhvillojnë aktivitetin e tyre kudo në botë. Disa nga kriminelët shqiptarë dhe të huaj, që kryejnë krime në vendet e tjera, vijnë dhe strehohen të sigurtë në Shqipëri. Rasti më i njohur është ai i ish-deputeti Mark Frroku, i cili kërkohej në Belgjikë për vrasje, ndërkohë në Shqipëri ishte zgjedhur deputet dhe ishte kthyer në biznesmen.

2 — Më në fund theksoi rëndësinë e vullnetit politik për të luftuar krimin dhe drogën

“Tashmë është në dorën e prokurorëve, gjykatave dhe vullnetit politik. Ne nuk e duam këtë më shumë se ju, SHBA janë me ju, por ne varemi nga vullneti juaj politik dhe guximi për të vijuar luftën. Ne jemi me ju, që politika mos ta mbështesë këtë aktivitet të paligjshëm”.

Krimi në vend ka mbështetjen e politikës.

Në vitin 2015, deputetët e Kuvendit miratuan ligjin e dekriminalizimit për të hequr nga Kuvendi dhe nga administrata shtetërore, personat të lidhur me krimin. Pas miratimit të ligjit, u shkarkuan 7 deputetë e kryebashkiakë dhe 6 këshilltarë bashkiakë.

Në vitin 2017 u zbulua se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e drogës. Sërish në vitin 2018, u zbulua se vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj kryente trafik droge, dhe më parë ai kishte qene i dënuar në Itali për trafik droge. Deri më tani tre drejtues policie janë shpallur në kërkim për trafik droge.

3—Ngriti problemin e futjes së parasë së pistë në ekonominë e vendit. Ajo theksoi se qarkullimi i parave të pista vetëm fuqizon kriminelët.

“Trafiku i drogës prodhon para të pista dhe këto furnizojnë krimin e organizuar, gangsterët, të cilët më pas mund ta dobësojnë pushtetin. Shqipëria duhet t’i luftojë, arrestimet duhet të pasohen me konfiskim të pasurive të kriminelëve. Sulmimi i pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike, është hapi tjetër në këtë luftë.”

Riciklimi i parave të pista është një problem i vërtet i ekonomisë në Shqipëri. Prania e një sasie të madhe parash për t’u ricikluar do të çojë në lindjen dhe lulëzimin e përkohshëm të një sërë biznesesh me humbje, të cilët në të njëjtën kohë do të sjellin falimentimin e bizneseve që nuk riciklojnë.

Gjithashtu, paratë e pista hyjnë në politikë. Përpara zgjedhjeve parlamentare në qershor 2017, kreu i OSBE-së, Bernd Borchardt deklaroi se në Shqipëri qarkullojnë rreth 2 miliardë euro të pista, të cilat mund të përdoren për të blerë deputetë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>