Takimi i Ndihmës Sekretarit të Shtetit në detyrë për Evropën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker me kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha kishte në qendër të tij marrëdhëniet SHBA – Shqipëri dhe rëndësinë e tyre përgjatë 30 viteve të fundit, njofton ambasada e SHBA në Tiranë.
Reeker ka theksuar në të dy takimet se Presidenti Biden dhe administrata e tij e kanë bërë luftën kundër korrupsionit interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA.
Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë luftuar korrupsionin në nivel ndërkombëtar, kryesisht përmes dy instrumenteve: aktivizimin e seksionit 7301/C per shpalljen non grata të personave që akuzohen për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe Aktin Magnitsky që përfshin sanksione më të rrepta si bllokimin e veprimeve financiare, aseteve dhe hyrjen në SHBA.
Gjatë takimit, Reeker vlerësoi mikpritjen e Shqipërisë për stërvitjen Defender Europe 21 dhe mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon.
Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjatë vitizës në Shqipëri ai u takua edhe me disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Pas Shqipërisë, Reeker do të vizitojë Maqedoninë e Veriut. Më 1 korrik, ai do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga drejt Prespës”, në Ohër. Aty Reeker pritet të takohet me Kryeministrin maqedonas Zaev, Ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rreth prioriteteve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.
Philip T. Reeker drejton Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) të ngarkuar me zbatimin e politikës së jashtme amerikane në Evropë dhe Euroazi dhe me këshillimin e Nënsekretarit për Çështjet Politike për çështje që lidhen me misionet diplomatike brenda kësaj zone.
Nënsekretari për Çështjet Politike është pozicioni i katërt më i lartë në DASH.