Përfaqësuesit diplomatik të SHBA-ve theksuan sot se ata dhe vendet e tjera si Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia nuk do të ndërmjetësojnë për formimin e qeverisë në Kosovë.
Pas spekulimeve të ndryshme në media, përmes një deklarate për shtyp, Ambasada Amerikane në Kosovë kujtoi një deklaratë të 30 gushtit të vitit të kaluar në të cilën thuhej se:
“[…] ne [SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia] përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”.
Kësaj deklarate të 30 gushtit 2019 i shtohej:
“Ne [SHBA-të] nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”.
Deklarata e ambasadës u bë pasi Lëvizja Vetëvendosje (LV) u shpreh të hënën se takimin e radhës me Lëvizjen Demokratike të Kosovës (LDK) do ta zhvillonte me përfaqësues diplomatikë perëndimorë.
Më 20 janar Kryetari i LV-së, Albin Kurti, u mandatua nga Presidenti i Kosovës për formimin e qeverisë. Kushtetuta parashikon 15 ditë kohë, por LV nuk i ka numrat e mjaftueshme për t’u votëbesuar në parlament dhe për këtë është përpjekur të bëjë marrëveshje qeverisëse me LDK-në.
Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë. Nga zgjedhjet e 6 tetorit LV mori 29 deputetë, ndërsa LDK 28. Palët nuk kane gjetur dakordësi pasi LV votoi Glauk Konjufcën si Kryetar Parlamenti, post të cilin e pretendonte LDK-ja.
Nëse deri më datë 5 shkurt nuk sigurohet marrëveshje, atëherë Presidenti i Kosovës mandaton kandidat tjetër me mundësi 10 ditë kohë për të formuar qeverinë dhe nëse kjo nuk ndodh, Kosova shkon në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.