Ambasadorët thirrje politikanëve kosovarë: mjaft luftuat qeverinë, mbështeteni në luftën kundër koronavirusit

Nga Exit News
Ambasadorët thirrje politikanëve kosovarë: mjaft luftuat qeverinë, mbështeteni në luftën kundër koronavirusit

Ambasadorët e SHBA-vë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Kosovë i kanë kërkuar politikanëve kosovarë që të fokusohen tek lufta kundër koronavirusit dhe jo tek luftrat politike.

Në një njoftim për shtyp, ambasadat shkruajnë:

“Në këtë kohë të vështirë, ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqëndrohen në luftën kundër COVID-19 duke respektuar dispozitat e Kushtetutës dhe fuqitë që u janë dhënë atyre përmes Kushtetutës.

Ne i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës në këtë moment kritik dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19  mbi politikën.”

Qeveria e Kosovës po përballet me një krizë të rëndë vetëm disa javë pas marrjes së pushtetit, pasi LDK, anëtare e koalicionit po kërcënon të dalë nga qeveria.

Kjo pasi Kryeministri Albin Kurti shkarkoi Ministrin e Brendshëm Agim Veliu të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për shkak se Veliu kishte kundërshtuar publikisht qasjen e qeverisë për të mos mbështetur propozimin e Presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe kishte nxitur panik në publik për shpejtsinë e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Udhëheqësi i LDK-së, Isa Mustafa e quajti shkarkimin si “të papranueshëm dhe në shkelje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës [midis LVV dhe LDK]” dhe ka paralajmëruar mbledhjen e firmave për të bërë mocion mosbesimi kundër kryeministrit Kurti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>