Është tashmë e qartë që ka një përpjekje të koordinuar të ambasadorëve të BE-së për të mbështetur ose për t’i bërë presion qeverisë për të formuar sa më shpejt institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, edhe pse si pasojë, mund të dëmtohet edhe më tej besueshmëria e reformës.
Njësoj si ambasadori i BE-së Luigi Soreca, Ambasadorja gjermane Susane Schütz, shprehu sot mbështetjen e saj për formimin e institucioneve të reja të drejtësisë:
“Këtë javë jemi përpara vendimesh të rëndësishme në kuadër të reformës shqiptare në drejtësi – një prej prioriteteve kyç në përafrimin e Shqipërisë me BE-në. Zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë gurë të rëndësishëm kilometrazhi në rrugën drejt një sistemi të pavarur, professional dhe efektiv drejtësie. Unë jam e bindur se Shqipëria ka tanimë mundësinë të konsolidojë shtetin ligjor dhe besimin në drejtësinë e saj.”
Siç Exit ka shpjeguar më parë, vendimi për të formuar KLP dhe KLGj para përfundimit të vetingut të të gjithë kandidatëve të tij, duke përfshirë edhe ata të cilëve akoma janë ende në pritje të vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelit (KLP), rrezikon të dëmtojë rëndë besueshmërinë e këtyre institucioneve dhe ligjshmërinë e vendimeve të tyre.
Megjithatë, tani duket se disa vende të BE kanë vendosur që me qëllim që të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë vitin e ardhshëm, çdo gjë është e lejueshme.