Ambasadori gjerman Peter Zingraf ka theksuar rëndësinë që ka për integrimin europian të Shqipërisë përmbushja e kushteve vënë nga BE-ja si: funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, reforma zgjedhore apo hetimi i dosjeve për blerjen e votave në zgjedhjet e kaluara.
Në një intervistë për Deutsche Wellen, ambasadori Zingraf, ndër të tjera, deklaroi:
‘Krahas reformës zgjedhore, një element i rëndësishëm në këndvështrimin gjerman është funksionaliteti i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese, që janë esenciale për vendin dhe bëjnë pjesë në grupin e kushteve që duhet të përmbushen përpara realizimit të Konferencës së Parë të Anëtarësimit.
Uroj që në këtë drejtim të bëhet progres i shpejtë. Thënë shkurt, topi aktualisht vazhdon të jetë ende në fushën e palës shqiptare.’
‘Dakordësia e Këshillit Politik për elemente të reformës zgjedhore ishte një shenjë nxitjeje dhe inkurajimi në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Zbatimi i dakordësisë dhe debatet për ndryshime të mëtejshme në fakt nuk janë përmbyllur, ato vijojnë ende.
E rëndësishme këtu është që rekomandimet e OSBE/ODIHR të shihen si linja orientuese. Në të njëjtën kohë rëndësi ka edhe progresi që do të bëhet në sqarimin e akuzave për mashtrim zgjedhor dhe blerje votash në zgjedhjet e kaluara.’
‘Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të gjykatësve kushtetues,është kompleks. Por është një proces i rëndësishëm dhe i duhuri, pasi Gjykata e ardhshme Kushtetuese do të duhet të vendosë për çështje të rëndësishme dhe autoritetin për këtë mund ta ketë vetëm një trupë e pavarur vendimmarrëse.
Rrugën e tregon opinioni i Komisionit të Venecias: Institucionet e drejtësisë dhe ato kushtetuese të përfshira në këtë proces duhet të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në mënyrë që së shpejti të shënohet progress.’