Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, apelon për ndalje të dhunës në protesta.
Ai shprehet i prekur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe kërkon që kjo ngjarje të zbardhet.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.”, thotë Zingraf.
Megjithatë kreu i diplomacisë gjermane në Tiranë thekson se vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike
“Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, shkruhet në reagimin e ambasadorit.
Thirrje për tu distancuar nga dhuna kanë bërë më herët edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca.