Ambasadori i BE-së Luigi Soreca sërish nuk pranoi të shprehej në anën e qytetarëve shqiptarë dhe të mbështesë zbatimin e Kushtetutës dhe Konventës së Aarhusit – duke pranuar ligjshmërinë e tenderit të hapur nga qeveria bazuar në ligjin ‘special’ për Teatrin Kombëtar, miratuar vetëm me votat e socialistëve.
Sot në një deklaratë për shtyp ambasadori Soreca deklaroi:
“Është lançuar tender, kritere të qartë dhe transparente për këtë projekt dhe po ashtu të ketë një qasje të drejtë dhe të ndershme në lidhje me këtë cështje. Mendoj që kjo është një cështje e cila vazhdon të ketë debat të madh në Shqipëri. Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator, e rëndësishme është çështja e konkurrencës së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator.”
Duke pranuar tenderin e hapur nga qeveria, i cili është në shkelje të hapur të procedurave të prokurimit publik, në shkelje të Kushtetutës dhe autonomisë së pushtetit vendor, ambasadori Soreca i ka dalë edhe njëherë në krah qeverisë së Ramës.
Siç Exit.al ka shkruar më parë, tenderi është hartuar në mënyrë të tillë që paracakton si fituese kompaninë Fusha shpk.
Me këtë deklaratë, Ambasadori Soreca më tej neglizhon shqetësimet e shprehura nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i cili deklaroi javën e kaluar:
“Të gjitha palët e përfshira duhet të presin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmarrin hapa të mëtejshëm.”
Së fundi, Soreca edhe një herë nuk dënoi dhunën e përdorur nga Policia e Shtetit, më 24 korrik, kundër aktorëve dhe qytetarëve që po mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shpronësimi dhe shembja.