Ambasadori i ri i BE-së duhet të jetë sa më larg modelit Vlahutin

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ambasadori i ri i BE-së duhet të jetë sa më larg modelit Vlahutin

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin do ta lërë postin e saj në fund të gushtit të ardhshëm, sikurse Exit konfirmoi me Shërbimin e Jashtëm të BE-së (EEAS).

Exit gjithashtu siguroi njoftimin për shpalljen e vendit bosh për ambasador në Tiranë, i cili jep një përshkrim të punës së tij. Analiza e disa prej detyrave të kreut të ardhshëm të Delegacionit na lejon të shohim qartë dështimet e Vlahutinit dhe pikat ku pasardhësi i saj mund të sjellë ndryshime të qarta:

Të përfaqësojë BE-në në Shqipëri, të sigurojë koordinimin e BE-së (të udhëheqë koordinimin brenda BE-së në nivelin lokal dhe të përfaqësojë BE-në), dhe të sigurojë një nivel të lartë përputhshmërie mes fushave të ndryshme të veprimtarisë së jashtme të BE-së dhe mes tyre dhe politikave të tjera të BE-së.

Përshkrimi i punës thotë qartë se ambasadori duhet “të përfaqësojë BE-në në Shqipëri”, dhe jo vetëm Komisionin Evropian. Ambasadorja Vlahutin dukshëm ka qënë e paaftë të përfaqësojë bindshëm mesazhet, shpesh me nuancë të ndryshme e ndonjëherë kontradiktore, që vinin nga institucionet e ndryshme të BE-së për procesin e hapjes së bisedimeve. Mbi të gjitha, ajo zgjodhi që për muaj të tërë të mos i shqiptojë fjalët “pesë prioritete kyçe”.

Pasardhësi i saj duhet patjetër të bëjë një punë më të mirë për të shpjeguar ndërlikimet e procesit vendim-marrës të BE-së për t’u siguruar që shpresat e Shqipërisë për anëtarësim në BE të mos jenë të ekzagjeruara:

Të ndjekë politikat e BE-së dhe harmoninë e tyre në nivelin lokal në të gjitha fushat, dhe në veçanti në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të procesit të para-anëtarësimit, përfshi mbështetjen financiare IPA, si dhe të promovojë dhe mbrojë interesat dhe vlerat e BE-së, duke zhvilluar aktivitete me median dhe aktivitete informuese dhe të komunikimit publik, përfshi ato përmes mediave sociale.

Sërish, Vlahutini ka provuar se është e paaftë për të “ndjekur politikat e BE-së […] në të gjitha fushat” shpesh duke u përqendruar në një temë të vetme e cila i shkonte për shtat dëshirave të qeverisë Rama. Ajo shprehu publikish përbuzjen e saj për demokracinë, akuzoi median e pavarur se prodhon “lajme të rreme”, ndërkohë që nën drejtimin e saj Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë bllokoi llogarinë në Twitter të Exit.al. Mbikëqyrja mbi fondet e IPA-s ka qënë e pamjaftueshme dhe shumë projekte kanë pasur vonesa dhe janë zbatuar në mënyrë të dobët.

Pasardhësi i Vlahutinit patjetër që mund të përmirësojë mënyrën si vlerat e BE-së reflektohen në funksionin e tij, të jetë transparent për investimet e BE-së dhe i ngurtë në kërkesat dhe afatet e zbatimit të investimeve. Ambasadori i ri gjithashtu mund të përpiqet të mbështesë ato pak media të pavaruara në Shqipëri dhe të stimulojë vërtet një “shoqëri civile”:

Të sigurojë marrëdhënie dypalëshe në gjithë spektrin e politikave dhe të zbatojë e të nxisë dialog të vazhdueshëm politik.

Në vend që të forconte “marrëdhëniet dypalëshe në të gjithë spektrin e politikave”, Vlahutini ka zgjedhur në mënyrë të vazhdueshme të mbështesë një grup të kufizuar politikash, saktësisht ato që përputheshin me interesat (private) të Kryeministrit Rama, ndërkohë që ka refuzuar të denoncojë edhe komentet më të tepruara të tij. Në vend që të angazhohej publikisht në të gjithë morinë e çështjeve të rëndësishme, ajo u fokusua vetëm në reformën në drejtësi, duke shpërfillur fushat e tjera të pesë prioriteteve, përfshi reformën zgjedhore. Në të vërtet, ajo është përfshirë në perpjekje të vetëdijshme për të minuar protestat e opozitës duke promovuar një “opozitë të re”.

Ambasadori i ri do ta nisë mirë nëse do të punojë me qeverinë dhe opozitën së bashku për ta shtyrë Shqipërinë përpara drejt BE-së, duke i nxitur me të vërtet marrëdhëniet dypalëshe. Ai duhet ta përdorë autoritetin e BE-së, jo për përfitimin e një politikani të vetëm, por në të mirë të gjithë hapësirës politike në vend.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>