Ambasadori italian në Shqipëri Fabricio Bucci tha të mërkurën se pritet të ketë zhvillime të rëndësishme sa i takon përgjimeve të Ndranghetas.
Në një intervistë në Euronews, ai paralajmëroi se do të përmenden zyrtarë dhe sipërmarrës shqiptarë, në përgjime të reja që ende nuk janë publikuar.
Fabricio Bucci tregoi se ka një bashkëpunim mes prokurorive te dy vendeve.
“Do të ketë zhvillime të rëndësishme së shpejti. Nuk mund të flas me detaje për arsye që ti i imagjinon, por po punohet, dy prokurorët po komunikojë”, tha ambasadori.
Publikimi i përgjimeve të Antimafias për disa pjesëtare të grupit mafioz Ndrangheta, shkaktoi reagime në Shqipëri. Në këto përgjime përmendeshin edhe emra sipërmarrësish dhe politikanësh shqiptarë.
Si pasojë e këtyre përgjimeve u arrestuan dhjetra anëtarë të grupit Ndrangheta. Përgjimet ngritën dyshime për përfshirjen e politikanëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në tendera korruptivë në ndërtim.
Kreu i PD Lulzim Basha ka bërë thirrje që SPAK të hetojë për këto përgjime.
Pak ditë më parë, Nisma Thurrje kallëzoi kryebashkiakun e Tiranës Veliaj për lidhje me mafian në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në përgjimet e publikuara deri më tani dëgjohen pjesëtarë të grupit mafioz që flasin se sa lehtë merren tenderat, por jo ndonjë rast konkret që të ketë ndodhur kjo.