Ambasadori amerikan Donald Lu falënderoi sot shoqërinë civile për ndikimin në vendimin e ish-ministrit Tahiri për të dorëzuar mandatin dhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Gjatë një konference me organizata të shoqërisë civile, ambasadori amerikan u shpreh:
Shoqëria civile drejtohet kryesisht nga gra dhe të rinj me energji, entuziazëm dhe optimizëm. Shoqëria civile mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm si rojtare kundër korrupsionit. Kur e thashë këtë e dija se kishte nejrëz skeptikë të cilët thanë se shoqëria civile është e dobët dhe punon vetëm për interesat e veta.
Ata thanë se shoqëria civile është blerë nga socialistët, demokratët dhe LSI. Unë mendoj ndryshe, shoqëria civile ka arritur fitore të jashtëzakonshme në tre vitet e fundit. Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Elvis Rroshin, Mark Frrokun, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin.
Ambasadori, gjatë fjalës së tij, kërkoi ndihmën e shoqërisë civile për të ndalur krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në vend, duke mos ju drejtuar institucioneve përgjegjëse si policia dhe prokuroria. Ai tha se:
Së fundi, nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që më në fund të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve, atëherë Shqipëria mund të ketë një të ardhme shumë të ndritur, një të ardhme në BE, një të ardhme pa trafik droge, një të ardhme në të cilën qytetarët e zakonshëm nuk do të kenë më frikë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Organizatat Jo Qeveritare dhe gazetarët shqiptarë duhet të punojnë për të ndihmuar publikun të kuptojë pse këta persona janë kaq të rrezikshëm dhe të ngrenë pritshmëritë se së shpejti do të arrestohen dhe ndiqen penalisht.
Ambasadori Lu quajti peshk të madh, Met Kananin, një person i cili u arrestua në Turqi nga policia turke.
Shqipëria ka mbështetur kapjen e një peshku të madh të drogës, Met Kanani, që u arrestua në Turqi më 22 mars.
Ambasadori quajti arritje shpalljen e urdhërarresteve për Klement Balilin dhe Arbër Cekaj. Por ai nuk tha asgjë për mënyrën se si këto dy trafikantë u larguan nga vendi.
Urdhër arreste janë lëshuar edhe për dy trafikues të tjerë të mëdhenj Klement Balili dhe Arbër Cekaj, por ata duhet të kapen.
Ndërkohë Ambasadori Lu nuk tha asgjë për emailin e dërguar Ish Prokurorit të Përgjithshëm Llalla, dhe të publikuar së fundmi në media, ku i kërkon të ndalojë hetimet penale ndaj kompanisë Bankers Petroleum për shpërthimet, të cilat dëmtuan rreth 200 shtëpi në Zharrës, Fier në vitin 2015.