Siç është bërë tashmë zakon në Shqipëri, diplomatët që janë drejt fundit të mandatit, i zbusin zakonet e tyre diplomatike dhe fillojnë të dalin nëpër programe televizive dhe në faqet e para të revistave.
Tre ditë më parë, ishte radha e ambasadorit amerikan Donald Lu për të shkëlqyer në programin televiziv satirik Portokalli, ku ai luajti rolin e vetes së tij në “tregun politik”, duke mbajtur një stendë frutash pranë stendës me koncesione e taksa të Edi Ramës, stendës me çizme të Monika Kryemadhit, stendës me çadra të Lulzim Bashës dhe atë me armë të Sali Berishës.
Fraza e parë e ambasadorit, të cilën e tha teksa mbante banane në dorë, ishte: “Nuk iki pa vënë drejtësi në tregun e madh të shoqërisë shqiptare.” Audienca, e cila me sa duket u kënaq me theksin e tij amerikan, e duartrokiti.
Në përgjigje të deklaratës së Lu-së, aktorët që imitonin Berishën, Bashën dhe Kryemadhin kaluan në anën tjetër të skenës, larg Lu-së, ndërsa Rama lëkundej mes bashkimit me ta apo me Lu-në. Lu e pyet Ramën: “Do vish këtej apo do shkosh andej?” Politikanët e opozitës filluan ta joshnin Ramën t’i bashkohej atyre dhe të bënin oferta për qytetarët, ndërsa Lu nga stenda e tij thërret: “Hajde burg, hajde burg!”
Morali i këtij skeçi të vogla është: opozita ofron krimin, por ambasadori amerikan premton burg për kriminelët. Dhe Rama përfundon, ndonëse duke qarë, në krah të ambasadorit amerikan.
Përkundër karakterit komik të skeçit të Portokallisë, ai tregon qartë se si Ambasadori Donald Lu mendon për veten e tij dhe cili është koncepti i tij i drejtësisë.
Fillimisht, reforma e drejtësisë kishte për qëllim forcimin e gjyqësorit në mënyrë që të funksionojë në mënyrë të pavarur nga dy degët e tjera të qeverisë dhe të ketë aftësinë për të hetuar pa ndërhyrjen politike korrupsionin e shfrenuar të zyrtarëve të lartë.
Megjithatë, përgjatë rrugës, reforma në drejtësi u përdor nga kryeministri Edi Rama si pastrim i gjyqësorit për interesa personale, dhe falë një opinioni ligjor të bashkë-nënshkruar nga Ambasada Amerikane, ai arriti të kapë prokurorinë. Ndërkohë, Ambasadori Lu e ka riformuluar reformën në drejtësisë duke iu referuar me shprehjen “kapja e peshqve të mëdhenj” si rezultat i “presionit” nga “shoqëria civile”, të cilat që të dyja janë kuptime tërësisht të gabuara.
Dhe tani, në një televizionin kombëtar, reforma në drejtësi zvogëlohet në një fjalë të vetme: “burg”. E sipas skenarit të Lu-së, reforma ka vetëm një mbështetës politik të vërtetë, madje edhe pa dëshirën e tij: Edi Ramën. Kjo është më shumë sesa një farsë!
Reforma në drejtësi është në fakt rezultat i presionit të ushtruar nga Bashkimi Europian në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, ndërkohë që tregimet me “peshqit e mëdhenj” vazhdojnë të mos kenë asnjë rezultat të vërtetë – asnjë peshk i madh nuk është kapur deri më tani, dhe kjo kotësi në asnjë mënyrë nuk ka qenë rezultati që pritej nga reforma në drejtësi.
Në të njëjtën kohë, ambasadori Lu ka dështuar në çdo rast të pranojë problemet serioze që reforma në drejtësi ka shkaktuar në realitet: copëzimin e Gjykatës Kushtetuese, paralizimin e Gjykatës së Lartë dhe një kulturë frike dhe urrejtje e përhapur në të gjithë gjyqësorin.
Përkundër kënaqësisë sadiste që kryeministri Rama merr nga përsëritja e vazhdueshme se “gjyqtarët nuk kanë parë akoma asgjë”, Ambasadori Lu e ka përshëndetur reformën si rrugë drejt drejtësisë dhe vazhdon ta mbush stendën e tij të tregut me “frytet e drejtësisë”.
Reforma në drejtësi mund të arrijë çdo gjë përveçse të forçojë ose të mbështesë zbatimi e ligjit; ajo ka përfunduar në një goditje antikushtetuese në të cilën maxhoranca e Edi Ramës – nëpërmjet ligjeve që kjo maxhorancë ka miratuar vetë – ka marrë funksionet e gjyqësorit të pavarur.
Raportet kryesore të qeverisë amerikane e kanë konfirmuar këtë gjë. Një raport i fundit i Departamentit amerikan të Shtetit tregon për shkeljet masive të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur nën mandatin e Ramës, ndërsa një tjetër raport sërish nga DASH, tregon se Shqipëria për të vitin dytë radhazi është ndër vendet kryesore në botë për pastrimin e parave dhe e cilëson vendin si një ndër pikat kryesore të narkotrafikut në botë. Donald Lu heshti për të dy raportet dhe nuk i publikoi ato në faqen e internetit të ambasadës së SHBA-së apo në mediat sociale.
Fatkeqësisht, Lu nuk mbron më interesat e popullit shqiptar, dhe as interesat e popullit amerikan; ai është duke zbukuruar me vetëdije të plotë qeverisjen e Ramës dhe po i jep atij mbështetje të pakushtëzuar.
Kjo na sjell në mitin themelor që përshkron të gjithë propagandën e Lu-së për reformën në drejtësi: se është një zgjedhje e thjeshtë midis krimit dhe drejtësisë, midis çizmeve dhe bananeve. Ky është trillim. Ne jemi tani në një moment kur krimi ka tejkaluar drejtësinë, ku krimi vendos se çfarë është drejtësia dhe çfarë nuk është, ku krimi bërtet “nuk keni parë asgjë akoma”!