Ambasadori Lu: Kryeprokurori Llalla, kundërshtar i reformës në drejtësi

Ambasadori Lu: Kryeprokurori Llalla, kundërshtar i reformës në drejtësi

Ambasadori amerikan Donald Lu akuzoi sot Prokurorin e Përgjithshëm si kundërshtar të reformës në drejtësi.

“Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorinë. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi”, deklaroi Zoti Lu, gjatë një konference me shoqërinë civile.

Ai tha se Zoti Llalla ka shkelur Kushtetutën dhe nuk është treguar bashkëpunues gjatë procesit të zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetua e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste”, deklaroi ambasadori.

Në fund të fjalës së tij, ambasadori shtoi se partnerët ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e vettingut dhe do të mbështesin qytetarët.

“Fatmirësisht ata ekspertë kombëtar dhe ndërkombëtar që e hartuan këtë platformë parashikuan se njerëz të rëndësishëm do përpiqeshin që të manipulonin këtë proces. Në Kushtetutë thuhet se anëtarët e Këshillit të Drejtësisë duhet t’i nënshtrohen vettingut. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse ky komision do t’i përmbahet kësaj kërkesë dhe do të bëhet procesi i vettingut”, u shpreh ambasadori.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>