Ambasadori Lu si viagra për intelektualët mediatikë

Nga Rigers Lako
Ambasadori Lu si viagra për intelektualët mediatikë

Javët e fundit ka patur një sërë reagimesh publike në mediat sociale e tradicionale për deklarimet e hapura e të qarta të Ambasadorit Lu kundër korrupsionit në drejtësi e kriminalizimit në politikë. Veçanërisht aktive ka qënë elita e zakonshme mediatike e vendit. Nga pena e kësaj elite kanë dalë një mori editorialesh, opinionesh, deklaratash, komentesh, e madje edhe komente mbi komente të komenteve të ambasadorit. Vetëm editoriale dhe opinione në pesë të përditshmet kryesore të vendit, gjatë muajit të fundit, kanë qenë të paktën 32.

Duket sikur e gjithë elita intelektualo-mediatike e vendit tashmë e percepton, e ndjen dhe e kupton praninë e korrupsionit e mungesës së drejtësisë në vend permes përjetimeve, vëzhgimeve e përshkrimeve të Ambasadorit Lu. Kulmi i kësaj dukurie të përjetimit të diçkaje përmes përjetimeve të dikujt tjetër—e cila, në shumë gjuhë, njihet me variante të fjalës latine “vicarius”—arriti kur pati nga ata që deklaruan triumfalisht se tashmë ata janë “Ambasadori Lu”, në modën e “Unë jam Charlie Hebdo.”

Një furi e tillë e pazakontë nuk ka si të mos bëjë përshtypje, për shumë arsye. Para se gjithash e mbi të gjitha, bën përshtypje fakti që shumica e anëtarëve të kësaj elite mediatike po hiqen si të befasuar nga “zbulimi” i Ambasadorit Lu.

Në fakt, të gjithë ata e kanë ditur situatën endemike të korrupsionit në vend që para se të fliste ambasadori amerikan. Pothuajse të gjithë e kanë parë nga afër luksin e gjyqtarëve, ministrave, deputetëve, drejtorëve të përgjithshëm dhe shumë zyrtarëve të tjerë publikë. Kanë parë jo vetëm orët luksoze, që përmend ambasadori, por edhe vilat, makinat, pushimet e shkollat e shtrenjta të fëmijëve të funksionarëve tanë, shumica prej të cilëve janë aq arrogantë dhe ndihen aq të sigurtë në abuzim, sa nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të fshehur kamjen e vënë përmes korrupsionit.

Por deri me tani, me përjashtime të rralla, askush prej tyre nuk e ka ngritur zërin kundër korrupsionit, përfshi edhe kur ka patur raste flagrante të bëra publike. Për shembull, pothuajse të gjithë intelektualët tanë mediatikë, që kanë shkruajtur këto javë, e mendojne që Gjin Gjoni është, të paktën gjykuar nga luksi që dëshmon haptazi, gjyqtar i korruptuar. Por intelektualët mediatikë jo vetëm që nuk u revoltuan, por nuk nxorrën zë fare kur ai u shpall “i pafajshëm” nga kolegët e tij.

Aktualisht, Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë është nën hetim për pasuri të paligjshme e pastrim parash, por përsëri askush prej këtyre intelektualve nuk ka shkruar qoftë edhe një rrjesht për të. Madje edhe lajmi i denoncimit të tij në prokurori, nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, u zhduk mënjëherë pasi u publikua, apo nuk u botua fare nga shume media. Edhe kur ai të dalë i pafajshëm mbas pak kohe, sikurse do të dalë me siguri, askush prej tyre nuk nuk do të flasë.

Lista e shembujve me politikanë dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët intelektualët mediatikë kanë heshtur, është e gjatë. Madje një pjesë e tyre jo vetëm kanë heshtur, por kanë qenë e janë pjesë e enturazhit e jetës shoqërore të këtyre njerëzve të korruptuar, duke ndarë me ta gëzimet, pushimet, kohën e lirë e “qokat”.

Po pse kanë filluar të flasin apo shkruajnë të gjithë, gati njëkohësisht, këto javët e fundit? Kanë ndryshuar? Janë vetëdijësuar? Kanë gjetur kurajon e munguar më parë? Ne vetëm mund të hamendësojmë e spekulojmë.

Një pjesë e tyre kanë shkruar thjesht për arsyen se ju duhet të sillen si intelektualë, dhe intelektualët nuk mund të mos shprehen për një temë që bëhet çështje e rëndësishme publike. Aq më tepër intelektualët tanë, të cilët nuk lenë çështje botërore pa analizuar, e jo më të rrinë pa folur për temat e nxehta të vendit. Por, duke mos pasur interes të mirëfilltë për temën e korrupsionit, shkrimet e kësaj kategorie thjesht perifrazojnë, komentojnë apo interpretojnë atë se çfarë ka thënë Ambasadori Lu.

Disa nga këta syresh, arrijnë madje nivele qesharake “analitike”, kur përpiqen të “zbulojnë” me kë e ka patur apo nuk e ka patur ambasadori e se çfarë do e gjejë këtë apo atë. Niveli më qesharak është i atyre që riciklojnë idenë inferioro-konspirative se tashmë këto punët tona të ngatërruara i ka marrë në dorë Amerika dhe “Amerika” ka vendosur këtë apo atë gjë apo e ka ndarë “mendjen” që ky apo ai politikan duhet të largohet.

Një kategori tjetër shkrimesh, janë përpjekje të autorëve për t’u dukur të përparuar e perëndimorë në formim, mendim, vizion e parime. Intelektualët mediatikë të kësaj kategorie përpiqen të tregojnë që janë ndryshe nga të tjerët, që janë “amerikanë”, “evropianë”, ndaj nuk ka se si ata të mos rreshtohen në krah të Ambasadorit Lu dhe diplomatëve apo zyrtarëve të huaj, që po shtyjnë reformën në drejtësi.

Me këtë rast, ata shpresojnë që mund të fitojnë edhe simpatinë e ambasadorit amerikan dhe të huajve të tjerë, aq më tepër kur e shohin se Ambasadori Lu e ka marrë aq mekanikisht dhe dogmatikisht punën e reformës në drejtësi, sa nuk është çudi që ai realisht t’i gjykojë njerëzit në bazë të lavdeve për ato që ai thotë apo propozon. Dhe sigurisht që simpatia e ambasadorëve është e nevojshme për ta, jo vetëm se ju rrit besueshmërinë dhe i bën të duken të rëndësishëm në sytë e publikut, por jo rrallë herë ka edhe të mira më të prekshme si sponsorizime, bursa, grante, etj.

Ka një pjesë tjetër, përgjithësisht ata që nuk janë pjesë e shtresës më mondane të intelektualëve mediatikë, që kanë shkruar për motive më të sinqerta. Këta mund të jenë realisht të shqetësuar për situatën e vendit, por kanë zgjedhur të heshtin para së keqes për pragmatizëm e jetë pa andrralla. Duket se fushata e Ambasadorit Lu ka shërbyer për ta si një garanci që u ka dhënë më shumë siguri për të ngritur zërin. Per ta veprimet e ambasadorit kanë shërbyer si viagra për të rritur kurajon e tyre, përballë frikërave të perceptuara, apo më së shumti, imagjinare të tyre qe intelektualeve tone nuk ju mungojne kurre.

Sido që të jetë dhe cilado qoftë arsyeja apo motivimi i elitës tone mediatike në rrjeshtimin pa kushte ne krah të Ambasadorit Lu, nuk mund të mohohet që veprimi i tyre, duke folur dhe shkruar kundër korrupsionit, është në çdo rast pozitiv. Të paktën është më mirë se të mos flasin fare, si deri më tani. Për këtë arsye, ndoshta, ata nuk duhen kritikuar.

Por kjo do të kërkonte që qëndrimi i tyre të mos ishte dukuri kalimtare. Ndërkohë që gjasat janë që shumica e tyre do e lënë këtë temë, sapo ta lërë dhe ambasadori amerikan. Nesër, shumica e tyre, do të shkruajë e do te flasë për Iranin, apo ISIS-in, për ekonominë, letërsinë apo dashurinë.

Ata që presin që furia e tanishmeve e shkrimeve apo deklarimeve publike të elitës sone mediatike të jetë fillimi i shumëpritur i një rezistence e beteje publike intelektuale kundër korrupsionit, me gjasa do të zhgënjehen. Kush pret që, paskësaj, ata që kanë shkruar apo folur kundër korrupsionit nuk do të rrinë më me gjyqtarë, zyrtarë apo politikanë të korruptuar; kush pret që ata të mos u shërbejnë më njerëzve të korruptuar; kush pret që ata të mos jenë më pjesë e pritjeve, ceremonive dhe ritualeve të elitës së korruptuar politike, me gjasa do të zhgënjehet. Kush pret që intelektualët mediatikë do të jenë tashmë një zë i fuqishëm kundër korrupsionit, klientelizmit të të gjitha ngjyrave dhe degradimit moral të shoqërisë, me gjasa e ka gabim.

Në fund të fundit, kurajo e tyre intelektuali është rritur me stimulante artificiale efektii te cileve eshte i përkohshem. Impotenca e tyre intelektuale e qytetare (fatkeqësisht) është e përhershme!

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>