Ambasadori Lu sulmon sërish Llallën—shkel Konventën e Vienës dhe ligjet shqiptare

Ambasadori Lu sulmon sërish Llallën—shkel Konventën e Vienës dhe ligjet shqiptare

Dje, faqja informative Lapsi.al publikoi një letër që ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla i kishte dërguar Kongresit Amerikan, më 17 maj 2017, e cila është e arkivuar dhe mund të lexohet në faqen e Kongresit. Letra përveçse paraqet këndvështrimin e Llallës mbi reformën në drejtësi, përmban akuza ndaj Ambasadorit amerikan Donald Lu, për ndërhyrjen në mënyrë të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme:

“Në maj të vitit 2015, ambasadori Lu kërkoi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm. Në këtë takim, ambasadori Lu kërkoi ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm që të ndikojë tek prokurorët që të mos kundërshtojnë projektin e tij të Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, në mënyrë jo diplomatike dhe kundër çdo norme të parashikuar nga Konventa e Vienës, Ambasadori Lu i sygjeroi Prokurorit të Përgjithshëm të arrestonte Kryetarin e Kuvendit dhe gjithashtu kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në vlerësimin e zotit Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi. Arrestimi i tij i mundshëm do të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar më shpejt në Bashkimin Europian. Një kërkesë e tillë, krejtësisht e papërgjegjshme, e detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpresë takimin, duke shpjeguar se arrestimi i çdo personi, përfshi edhe zyrtarët, bëhet vetëm në bazë të provave.”

Konventa e Vienës mbi Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 është traktati kryesor ndërkombëtar që rregullon marrëdhëniet mes vendeve. Ajo është e nënshkruar dhe zbatohet nga 187 vende, përfshi natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë. Neni 41 i Koventës, në mënyrë të qartë, parashikon se diplomatët “kanë detyrën të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit pritës”.

Nëse letra e Llallës drejtuar Kongresit të SHBA-ve, e shkruar rreth një vit më parë, është e vërtetë, sjellja e Ambasadorit Lu është qartësisht shkelje e këtij parimi dhe detyrimi ligjor ndërkombëtar.

Por në një deklaratë për median online Balkanweb, Ambasadori Lu i hodhi poshtë pohimet e Zotit Llalla:

“Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Zoti Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”.

Përveç se mohoi t’i kishte kërkuar Llallës arrestimin e Metës, Ambasadori Lu shkoi edhe më tej, duke e sulmuar personalisht Llallën:

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe i diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”.

Përtej ashpërsisë dhe zellit të këtij sulmi, që patjetër duhet të ngrejë ca supe në Uashington, nuk ka patur asnjë njoftim nga prokuroria që Llalla është nën hetim për “pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara”.

I vetmi vend, i cili ka përmendur ekzistencën e hetimit penal ndaj Llallës ka qenë artikulli i Deutche Welle, i cili përmend hetimin për “pastrim parash të një sasie të madhe”, bazuar në “burimet diplomatike në Tiranë”

Pasi mbaroi mandatin e tij si Prokuror i Përgjithshëm, Adriatik Llalla zgjodhi të mos ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për t’u emëruar përsëri në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, më 16 shkurt 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e ndërpreu procesin e vetingut kundrejt tij. Në mënyrë të pashpjegueshme Komisioneri Publik e apeloi vendimin e KPK-së në Kolegjin e Apelimit, edhe pse Kushtetuta është e qartë në pikën se procesi i vetingut ndërpritet menjëherë nëse personi dorëhiqet apo largohet nga funksionet e tij në sistemin e drejtësisë.

Për më shumë, duhet theksuar se ndryshe nga ngjyrimi që i ka dhënë Ambasadori Lu në reagimin e tij, Llalla nuk ka folur tani për reformën në drejtësi. Letra e raportuar nga Lapsi.al është e majit 2017, pra e gati një viti më parë. Prandaj, deklarata e Lu-së se Llalla “vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi, sepse ai tani rrezikon të shkoj në burg për korrupsionin e tij” është e çuditshme. Për më tepër, Llalla nuk ka folur asnjëherë kundër reformës në drejtësi, dhe deri më tani as prokuroria nuk ka njoftuar nëse ka nisur hetim për të dhe nëse po, për çfarë akuze.

Së fundmi, edhe nëse do të ketë një një hetim që mbahet konfidencial për pasuritë e Llallës, për një diplomat të huaj të quajë një ish-Prokuror të Përgjithshëm të vendit pritës “të korruptuar dhe të diskretituar” pa asnjë dënim gjyqësor është njësoj shkelje e Konvetës së Vienës, sikurse është edhe kërkesa e pretenduar e tij për të arrestuar Kryetarin e Kuvendit, tani Presidentin e vendit Ilir Meta. Madje jo vetëm si ndërhyrje në punët e brendshme, por edhe si shkelje e ligjeve të Shqipërisë dhe të SHBA-ve që e konsiderojnë çdo njeri të pafajshmë deri sa të jetë provuar i tillë nga një gjykatë. Pikërisht, njësoj sikurse Ambasadori Lu konsideron Saimir Tahirin deri sa të vendoset nga gjykata.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>