Ambasadori Soreca përgënjeshtron Kuvendin

Nga Exit News
Ambasadori Soreca përgënjeshtron Kuvendin

Ambasadori i BE-së në vend, Luigi Soreca përgënjeshtroi të mërkurën deklaratën e Kuvendit se lënia jashtë seancave e gazetarëve ishte rekomanduar e mundësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një reagim në Tëitter, Soreca shkruan se rregullat e reja të miratuara nga Byroja e Kuvendit nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së.

“Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014,” shkruan ai.

Soreca shpreh keqardhjen për mungesën e konsultimeve me komunitetin mediatik.

“Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale,” shton ai.

Kuvendi reagoi më herët, pas protestës së gazetarëve për vendimin e Kryesisë për të lënë median jashtë mbledhjeve të komisioneve.

Kryesia e Kuvendit vendosi që punonjësit e medias të mos jenë më të pranishëm në mbledhjet e komisioneve parlamentare por t’i ndjekin ato nga një dhomë e veçantë përmes një sistemi audio-video.

Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, sipas Kuvendit. 

 

Lajme te ngjashme