Ambasadori Soreca: Shqipëria duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave

Ambasadori Soreca: Shqipëria duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi sot se muajt në vijim janë mjaft të rëndësishëm për vendimin për hapjen e negociatave Shqipëri – BE, që do të merret në qershor.

Soreca deklaroi se vendimi i qershorit nuk duhet të merret i mirëqënë nga Shqipëria. Sipas tij, Shqipëria duhet të bëjë përpjekjet maksimale për të përmbushur kushtet e përcaktuara, pavarësisht se cili do jetë vendimi i shteteve anëtare:

“BE ka mirëpritur shumë këto zhvillime të fundit, por duhet bërë më shumë.  Koha është thelbësore dhe vendimi i qershorit nuk duhet të merret i mirëqënë. Nuk ka mbetur shumë kohë deri në etapat e ndryshme të pranverës. Do të ishte një gabim për Shqipërinë që të mos fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë vendi gjatë muajve të ardhshëm për tu paraqitur plotësisht i përgatitur.”

Zoti Soreca, theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të jenë prioritet për qeverinë:

“Ajo që shtetet anëtare presin nga Shqipëria u tha qartë qershorin e kaluar: Të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

Ndërkohë, ai ju bëri thirrje partive të dialogojnë në mënyrë që të mundësojnë vazhdimësinë e reformave, duke vënë theksin tek ajo zgjedhore:

“BE është e angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, por vendi duhet të orientojë të gjitha përpjekjet e tij drejt këtij objektivi. Për këtë, nevojitet një dialog konstruktiv midis të gjitha partive politike. Reforma zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR paraqet një mundësi të menjëhershme për të demonstruar pa mëdyshje këtë gatishmëri për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>