Ambasadori Soreka flet vetëm kur është ‘e sigurt’

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Ambasadori Soreka flet vetëm kur është ‘e sigurt’

Disa ditë më parë ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehu publikisht zhgënjimin për vendimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke e konsideruar dënimin “dekurajues”. Ky reagim u pasua nga ambasadori i Britanisë së Madhe Duncan Norman, i cili foli për “dështim”.

Përkundrazi, ambasadori i BE Luigi Soreca u tregua shumë i rezervuar për të dhënë mendimin e tij rreth kësaj çështjeje. Në përgjigje të pyetjes nga gazetarët, ai u shpreh:

“Përvoja ime si ish-prokuror më shtyn ta lexoj vendimin përpara se të shpreh mendimin tim për të. Kështu që,  më lejoni ta lexoj vendimin në mënyrë të qartë dhe më pas do të bëj deklaratë në lidhje me të.”

Ky është një tjetër qëndrim i pasinqertë i një ambasadori, që duket gjithnjë e më pranë qeverisë Rama, dhe që duket se shfrytëzon çdo mundësi ose për t’i shmangur fare, ose për t’i minimizuar skandalet ku përfshihet qeveria Rama.

Prandaj edhe nuk ka pse të jetë i habitshëm fakti se Tahiri e kopjoi menjëherë ‘justifikimin’ e Sorekës, kur dha një konferencë për shtyp pas dënimin, ku iu përgjigj pjesërisht edhe deklaratës së ambasadorit britanik:

“Është dekurajuese dhe për mua të dëgjoj ato deklarata. Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatës që nuk është publikuar ende.”

Natyrisht që kjo nuk ka qenë kurrësesi në “kulturën” e Tahirit, ish-shefi i të cilit shfrytëzon çdo mundësi për të folur para, gjatë dhe pas çështjeve gjyqësore që prekin qeverinë e tij. E vetmja herë kur ai hesht është kur  humbet.

Nga ana tjetër, “përvoja si ish-prokuror” e Sorekës nuk e ndaloi atë të denonconte pa humbur kohë, në fillim të këtij viti, uljen e dënimit në rastin e vrasjes së 4 oficerëve të policisë. Madje, atëherë ai i bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) ta hetonte vendimin!

Le të presim, pra, me durim, derisa ambasadori “me përvojë” i BE-së të lexojë vendimin për Tahirin dhe të ketë formuar një mendim të bazuar fort në informacion për këtë parodi të drejtësisë. Pa dyshim që sa më shumë i afrohemi Samitit të Këshillit Evropian në tetor, aq më i matur do të jetë ambasadori në deklaratat e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>