Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim u bëri sot thirrje prokurorëve shqiptarë të mbrojnë shtetin ligjor, të pafajshmit dhe të mos lejojnë fajtorët t’i shpëtojnë drejtësisë.
E pranishme në konferencën për sfidat e prokurorisë, Ambasadorja Amerikane garantoi mbështetje për reformën në drejtësi. Ajo pohoi se reforma ka qenë e vështirë, por tejet e rëndësishme, ndërsa shtoi se:
“[…] tani është koha që prokurorët të rifitojnë besimin e publikut […] Shqipëria duhet të mbrojë shtetin ligjor, kjo nuk është një zgjedhje, kjo është një kërkesë. Kjo duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit, sepse këto janë dy pengesat që po e ndalojnë Shqipërinë që të bëhet aq e madhe saç mund të jetë.”
Ambasadorja u kërkoi prokurorëve që të mos lejojnë fajtorët t’i shpëtojnë drejtësisë dhe të pafajshmit të vuajnë. Ajo kërkoi vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi ato e kanë penguar vendin që të ecë përpara.
Në konferencën për sfidat e prokurorisë ishin prezent kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja, Kryeprokurori Ardian Çela, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Bernd Boschard.
Kryeprokurori Çela pohoi se reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhje finale e problemeve, por shërbejnë si instrument për të krijuar kushtet e favorshme për zhvillimin dhe progresin e shoqërisë.
Ambasadori i BE-së, Soreca, u shpreh se krijimi i e institucioneve të reja të drejtësisë ka krijuar kushtet ,që prokurorët të ushtrojnë punën të pandikuar nga ndërhyrjet e mundshme.
Soreca përmendi edhe negociatat dhe pohoi me besim se vendet anëtare të BE-së do të vendosin pozitivisht për Shqipërinë. Ndërsa Ambasadori i OSBE-së, Borchardt, u fokusua tek procesi i vettingut, për të cilin nuk kurseu vlerësimet.