Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim ka bërë thirrje për hetim të plotë të personave që “shkelin ligjin” dhe “ndalojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar”. Ambasadorja njoftoi se ka takuar drejtuesit e institucioneve të larta të drejtësisë si Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë dhe shefin e SPAK. Ajo shkroi në twitter se:
“Unë u takova me Prokurorin e Përgjithshëm Çela tani, do të takohem së shpejti me shefin e SPAK Kraja, u takova dje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Veliu.
Mesazh: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen në mënyrë të plotë.
Asnjë trajtim të posaçëm. Asnjë përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin”.
Ky është reagimi i dytë i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë pas vrasjes së djeshme në Elbasan.