Ambasadroja e SHBA-ve Yuri Kim dhe përfaqësuesja e OPDAT, Michelle Lakomy kanë diskutuar të enjten me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, mbi ndryshimet e fundit ligjore. Mbledhja u organizua nga EURALIUS, online.
“Shqipëria është në kulmin e zbatimit të reformës në drejtësi. Ndryshimet e fundit ligjore janë të rëndësishme për reformën në drejtësi”, u shpreh ambasadorja.
Ajo i referohet lehtësimeve ligjore për përzgjedhjen dhe marrjen e vendimeve në GJL dhe GJK.
Gjykata e Lartë (GJL) mund të zgjedhi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (GJK) me një kuorum prej 9 gjyqtarësh. Me ndryshimet e miratuara me 23 mars nga Kuvendi, në mbledhjen e gjyqtarëve në duhet të marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve.
Një tjetër ndryshim në ligjin për GJK lidhet me emërimin e anëtarit të GJK pas mbarimit të mandatit.
Ligji parashikonte se pas mbarimit të mandatit, anëtari i GJK do të caktohet në një detyrë të barabartë ose të ngjashëm me postin që kishte, pra të gjyqtarit të GJK. Ndryshimet e reja parashikojnë se nëse anëtari i GJK gëzonte më parë statusin e magjistrantit, ai do të caktohet në prokurorinë ose gjykatën e apelit.