
“Vendimi i Këshillit të Evropës nuk i mbyll dyert Shqipërisë. Është vendim solemn, por jo mbyllja e dyerve definitive për Shqipërinë.”
Kështu u shpreh ambasadorja e Francës në Shqipëri Christina Vasak, në lidhje me vendimin e marrë nga Këshilli Evropian në tetor. Gjatë një takimi në Elbasan, zonja Vasak theksoi se çështja e negociatave me Shqipërinë do të diskutohet sërish në samitin e Zagrebit, i cili do të mbahet majin e vitit të ardhshëm.
Në lidhje me qëndrimin e Presidentit të Francës Emanuel Macron, ambasadorja Vasak u shpreh se ai mbështet Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për të hyrë në BE.
“Presidenti i Frances është shprehur qartë për mbështetjen që do t’i japë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera pretendente për hapjen e negociatave”
Në samitin e 18 tetorit, Franca, Danimarka dhe Holanda votuan kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësim të dy vendeve të Ballkanit. Presidenti i Francës Macron u shpreh kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sepse ishte i mendimit se procesi nuk garantonte marrëdhënie të ndershme zhvillimi reciprok as me BE dhe as me vetë vendet. Për këtë Presidenti francez propozoi reformimin e procesit.