
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka nxitur organet e vetingut të marrin një vendim të pandikuar ndaj kryeprokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj, një ditë pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) kërkoi shkarkimin e saj.
ONM i kërkoi dje Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Imerajt. ONM sugjeron se Imeraj nuk duhet të kalojë vetingun në asnjë nga tre kriteret: pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi.
Në një postim në Twitter, ambasadorja tha se ajo do ta ndjekë këtë rast. Ajo e nxiti Komisionin e Posaçëm i Apelimit të japë drejtësi me guxim dhe integritet, si dhe median që ta mbulojë vetingun e prokurores Imeraj pa rënë pre e presioneve.