Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka përshëndetur të enjten arrestimet e SPAK, ku u përfshi dhe gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha.
Në një deklaratë për mediat, Kim tha se ky është shembulli i rradhës së punës së SPAK, duke theksuar reforma në drejtësi po zbatohet hap pas hapi.
Ambasadorja Kim i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të shohin faktet mbi punën e SPAK dhe të mos shpërqendrohen nga propaganda.
Deklarata e plotë e saj:
“Reforma në drejtësi është me rëndësi. Për të gjithë skeptikët që kanë thënë se “ska për të ndodhur gjë; “që reforma dhe SPAK ska për të funksionuar”, kam një lajm për ju; e keni gabim! Dua ju inkurajoj që të shihnit të gjitha hapat që ka ndërmarr SPAK, siç është dhe rasti i çështjes sot në Krujë. Reforma në drejtësi nuk është një mrekulli, por ndodh hap pas hapi dhe duhet të zhvillohet dhe duhet të jemi ne ata që duhet ta ngrejmë dhe të ecim përpara. Duhet ta shtyni veten dhe të shkoni kundër skepticizmit. Ndaj fokusohuni në fakte, shihni se çfarë është duke bërë SPAK dhe policia. Mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda.”
SPAK arrestoi të enjten gjyqtaren Hoxha, e cila akuzohet për korrupsion. Gjyqtarja Hoxha njihet si ‘avokatja mbrojtëse’ që ka mundësuar lirimin e parakohshëm të disa kriminelëve të dënuar me burgim të përjetshëm.
Exit News ka shkruar më parë se si gjyqtarja Hoxha ka liruar Endrit Doklen, Hekuran Billon, Genc Tafilin dhe Ilir Pajën, përmes një skeme të njëjtë.