Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim i bëri thirrje politikanëve shqiptarë të zbatojnë reformat e nisura dhe të plotësojnë kushtet e vendosura nga Këshilli Europian, për tu anëtarësuar në BE.
Në një intervistë për televizionin Illyria, ajo u shpreh se drejtuesit politikë duhet të japin rezultate të qarta për të bindur vendet anëtare se Shqipëria është gati për anëtarësim.
“Nuk ka kohë për të humbur. Shqipëria duhet të zbatojë reformat dhe të plotësojë kushtet e përfshira në vendimin e BE-së. Ofroni rezultate të ngurta shpejt për të bindur vendet anëtare që jeni gati për anëtarësim. Tregoni përkushtimin tuaj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mundësi ekonomike.”
Përsa i përket reformës në drejtësi, ambasadorja Kim u shpreh se tashmë ajo ndodhet në një fazë kritike, ku nga njëra anë janë ngritur te gjitha institucionet e reja por pritet rezultati i tyre. Ajo u shpreh se shpreson që se shpejti Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe SPAK të vërë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar.
Ambasadorja Kim pohoi se kur liderët politikë duan të bashkëpunojnë, kanë rezultate të larta. Duke iu referuar përballimit të pandemisë, ajo u shpreh:
“Pandemia tregoi se liderët politikë – Presidenti Meta, Kryeministri Rama, lideri i opozitës Basha, janë të aftë të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të bashkohen, nëse dëshirojnë. Shpresoj se do të shohim më shumë shembuj të këtij lloj udhëheqjeje.”
Kim tha se prioritetet e saj si ambasadore janë forcimi i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, zhvillimi i shtetit shqiptar duke forcuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe zbatuar reformat e nisura dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.